E Diel, 1 Nëntor 2026

"25-vjeçari nga Berati u vra aksidentalisht"

25-vjeçari beratas Gjata është vrarë
aksidentalisht nga shoku i tij, duke
luajtur me një pistoletë, por nga frika,
autori nuk ka shkuar në polici.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur kur
Ferdinand Gjata gjatë një "loje me
armë" me shokun e tij Shemsi Shaljani,
i cili mbante një pistoletë në
dorë, ka gjetur vdekjen pas një shkrepjeje
të rastësishme. I tmerruar
nga kjo, Shaljani e ka dërguar
shokun e tij në spital, me shpresën
që ai të mbijetojë, por ka ndërruar
jetë sapo është marrë në dorëzim
nga mjekët. Tmerri dhe frika që ka
përjetuar ka "detyruar" 25-vjeçarin
të mos shkojë vullnetarisht në polici,
deri në momentin kur grupi hetimor
e ka zbuluar dhe e ka arrestuar.
Burimet zyrtare nga Drejtoria e
Policisë së Tiranës bënë të ditur se
dje specialistët e seksionit të krimeve
kundër jetës dhe shëndetit
në Drejtorinë e Policisë, në bashkëpunim
me sektorin e krimeve
kundër personit në Drejtorinë e
Policisë së Qarkut Berat, pas një
pune hetimore duke përdorur metodat
e specializuara të hetimit,
mundën të identifikojnë dhe të
kapin autorin e dyshuar të vrasjes
së Ferdinand Gjatës, ndodhur tri
ditë më parë. Sipas policisë, Shemsi
Shaljani, 25 vjeç, i cili është shoqëruar
dy net më parë, ka pranuar
krimin dhe ka treguar edhe vendin
ku kishte fshehur armën me të
cilën ka ndodhur ngjarja tragjike.
Policia tha se arrestimi i tij u krye,
pasi akuzohet se duke qenë së
bashku me viktimën në dyqanin e
tij, në bulevardin "Zogu i Parë",
rreth orës 17.00 të ditës së hënë,
duke "eksperimentuar" me pistoletën
e tij tip "Zastava", ka qëlluar
aksidentalisht atë, duke e plagosur
rëndë dhe pasi e ka çuar në
spitalin "Nënë Tereza" është larguar
në panik dhe fshehur policisë.
Gjithashtu, me arrestimin e tij,
policia ka zbardhur edhe misterin
për këtë vrasje, për të cilën u hetua
në disa pista. Ferdinand Gjata
martohej pas dy javësh dhe vrasja
e tij ishte një tragjedi për familjen,
që kishte nisur përgatitjet për
dasmën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›