- Ndalesën e parë, z.Nano e bën në Poliçan, ku takohet me autoritete lokale, banorë të qytetit dhe strukturat lokale të PS-së - Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një vizitë pun
- Ndalesën e parë, z.Nano e bën në Poliçan, ku takohet me autoritete lokale, banorë të qytetit dhe strukturat lokale të PS-së -
Kryeministri Fatos Nano ka zhvilluar sot një vizitë pune në qarkun e Beratit. Fillimisht z.Nano është ndalur në qytetin e Poliçanit, ku është pritur nga kryetari i bashkisë dhe autoritetet lokale. Më pas është takuar dhe ka biseduar, për rreth një orë, çështjet e kuvendimit të madh, zhvillimeve të fundit në PS dhe procesit të ripërtëritjes, bashkëpunimit të Koalicionit qeverisës për Integrim dhe qëndrimit ndaj partive opozitare me kryetarin dhe kryesinë e PS-së së Skraparit.
Në këtë vizitë, Kryeministri Nano është pritur nga mijëra qytetarë të Skraparit, të cilët e kanë shoqëruar drejt qytetit të Policanit. Në sheshin qendror të këtij qyteti, Kryeministri është përshëndetur me banorët e tij dhe, i shoqëruar nga autoritetet lokale, ka përuruar nisjen rikonstruksionit të bulevardit kryesor të qytetit. Me këtë rast, Kryeministri Nano ka mbajtur këtë fjalë:
"Të dashur miq, motra dhe vëllezer të Policanit
Ju falënderoj për këtë mikpritje skrapallie, e cila tregon edhe njehere se jemi në rrugën e duhur për rindërtimin e Shqipërise Europiane dhe se kontribitet tuaja janë të pazëvendësueshme për të shpejtuar ritmet e zhvillimit dhe të përparimit të vendit.
Unë kam kënaqësi të jashtëzakonshme që jam sot midis jush, sepse kemi punë të mëdha përpara, të cilat do të kryejmë së bashku. Qeveria e koalicionit është më e fortë se kurrë dhe prandaj programet e zhvillimit, investimet publike të Qeverisë dhe Bashkisë së Policanit, po përmirësojnë rrënjësisht jetesën, po nxisin sipërmarrjen, po shtojnë punësimin, po përmirësojnë infrastrukturën dhe po ju sigurojnë akoma më shumë mirëqenie në shtëpitë tuaja.
Unë jam këtu që t'ju garantoj se vëmendja dhe mbështetja e qeverisë për qytetarët e mrekullueshëm të Policanit do të vazhdojë të jetë e madhe dhe e pandryshuar. Këtë vit investohen 6 herë më shumë fonde se në vitin 2003. Transformimet në qytetin tuaj mbështeten në bashkëpunimin e shkëlqyer midis autoriteteve vendore që keni zgjedhur, vecanërisht kryetari juaj i Bashkisë, i cili di, në emrin tuaj, të integrojë kapacitetet dhe aftësitë tuaja për zhvillim, të hartojë dhe paraqesë projekte të sakta dhe prandaj të financuara nga qeveria.
Nga ky bashkëpunim shumë i mirë ju po përfitoni investime shumë të rëndësishme, në rindërtimin e shëtitores kryesore, të tregut, të ujësjellësit, të kopshtit të fëmijëve, të shkollës 8-vjecare, të poliklinikës dhe të tjera që do të vazhdojnë. Unë e di mirë se kemi 14 vet së bashku në këtë tranzicion të veshtirë edhe për qytetin tuaj. Për disa dekada jeta dhe e ardhma e qytetit ishin të kufizuara nga izolimi dhe konspiracioni i Uzinës Ushtarake. Unë e di mirë që mbyllja e saj ka lënë pa punë gjysmën e fuqise punëtore të Policanit. Po ja ku jeni ju, provat e qëndresës dhe të aftësisë vitale për ta kapërcyer tranzicionin, më me shpresë se kurrë sot, në mbështetje të programeve tona për transformimin dhe modernizimin e Policanit.
Shpresa juaj bashkohet me optimizmin tim si Kryeministër për fonde dhe projekte për të nxitur më tej shpirtin e sipërmrrjeve dhe kontributin e biznesmenëve në shkallë kombëtare dhe këtu në Skrapar, kontributin e qytetarëve të Poliçanit për zhvillim akoma më integrues në të ardhmen.
Dua t'ju përgëzoj personalisht sot për mbështetjen që vazhdoni t'u jepni projekteve tona të zhvillimit, prandaj nuk mund të lindte gjetkë iniciativa e ndërtimit të një Kolegji që do të ulë në të njëjtën klasë fëmijët e fiseve të ngujuara në të gjithë Shqipërinë. Unë ju falënderoj nga zemra për këtë sinjal humanizmi, për këtë iniciativë që i kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe ju garantoj se do ta mbështesim për ta kthyer Policanin në një vatër të edukimit dhe integrimit të të gjithëve në zhvilimin dinamik dhe paqësor të vendit.
Dimensioni juaj human dhe paqedashës, i strukturuar në një projekt që shkon tërësisht kundër vdekjes nëpërmjet arsimimit, do të gjejë përkrahjen time dhe të qeverisë që unë drejtoj. Ky model e fut në rrugën e zgjidhjes problemin e gjakmarrjes dhe kjo dëshmon se idetë e mëdha lindin këtu dhe jo në Hotel Sheraton apo në hotel Grand, lindin këtu mes maleve, në ajër të pastër të Policanit, ku dhe mendja funksionon e kthjellët, ku dhe sëmundjet shërohen.
Megjithë punimet që po inagurojmë sot, unë si Kryeministër e di se duhet të bëjmë akoma më shumë për qytetin dhe zonën tuaj, për gjithë Skraparin dhe për vet Poliçanin. Poliçani në projektet tona për zhvillim do të shndërrohet në qendër të vreshtarisë dhe blektorisë në të gjithë zonën, duke zhvilluar projekte që nxisin përpunimin dhe prodhimin e gjithë insdustrisë së produkteve dhe nënprodukteve që vijnë prej tyre. Ekspertët vlerësojnë se lëngjet tuaja, nga karburanti skraparit tek vera dhe pijet e tjera që bazohen në alkolin e rrushit, prodhohen me cilësi shumë më të lartë këtu në Polican dhe, prandaj, janë mallra të përfshira në listat e marrëveshjet e Tregëtisë së lirë edhe për eksport në Ballkan.
Unë kam urdhëruar Ministrin e Bujqësisë ta studiojë imtësisht këtë zonë dhe të sjellë në qeveri për financim të gjitha projektet që bëjnë të mundur marketimin dhe shitjen brenda dhe jashtë vendit për eksport të produkteve tuaja që po shtohen. U kam dhënë detyra të vecana gjithashtu ministrave të Mbrojtjes dhe të Ekonomisë, që, në bashkëpunim me sipërmarrës të shquar privat, vendas e të huaj, të sjellin me kushte zbatimi, projekte të riaktivizimit të Uzinës së Municionit, për ta rivënë atë në funksionim, duke i ndryshuar destinacionin për prodhime civile. Nuk ka më nevojë për predha, për fishekë apo kallashnikov, sepse po shtohen gëzimet që kërkojnë më shumë fishekzjarre, apo lëndë plasëse që nxisin ndërtimin e infrastukturave moderne. Prandaj ne jemi të bindur se uzina ka zgjidhje, ka të ardhme dhe nuk do të varroset së bashku me të shkuarën e saj.
Ne do të vazhdojmë t'i aktivizojmë të gjitha burimet e zhvillimit dhe të mos i përçmojmë ato. Kapitali i huaj ka mbërritur deri në Berat dhe Veladisht dhe ne do ta nxisim që të lëvizë për të kapërcyer edhe 32 km që shfrytëzojnë portencialet tuaja dhe njerëzit tuaj të mrekullueshëm. Ka ardhur koha që çdo njësi e pushtetit vendor të përcaktojë më mirë resurset e zhvilimit dhe të programojë së bashku me ne shfrytëzimin e tyre për më shumë mirëqenie, për ritme më të larta sipërmarrjeje dhe zhvillimi.
Ne nuk mund ta harrojmë të kaluarën tuaj të lavdishme dhe prandaj jemi të angazhuar për të ardhmen. Këtu bëhet fjalë për njerëz që përvec patriotizmit kanë sakrifikuar në dekada, duke rrezikuar jetën jashtë cdo parametri mbrojtës në Uzinën "e vdekjes". Jam në dijeni të problemeve shëndetësore të tyre dhe prandaj qeveria do të mbështesë indeksimin e trajtimit dhe do të zbatohet ligji pikë për pikë edhe në këtë çeshtje.
Ne do të vazhdojmë të mbështesin ndërtimin dhe modernizimin e aksit rrugor që lidh Beratin meÇorrovodën, do ta përfundojmë këtë rrugë vitin tjetër, duke bërë të mundur që të gjithë ju dhe prodhimet tuaja të lëvizni më shpejt dhe të shkurtoni distancat dhe kohën për të dalë në tregun kombëtar dhe në atë botëror.
Ne do të ndërtojmë, për shkak se juve ju kemi më të besuarit, edhe një institucion riedukimi të sigurisë së lartë në Polican, ku 500 prej jush do t'i shërbejnë forcimit të shtetit ligjor dhe riintegrimit të objektivave të viktimave të krimit në jetën civile.
Të gjitha këto janë prova se vëmendja e qeverisë për Skraparin, Poliçanin dhe gjithëÇorrovodën do të vazhdojë të afrohet gjithnjë e më shumë tek resurset dhe tek njerëzit tuaj. Ajo nuk ndryshon sipas endrrave apo incidenteve politike të disa individëve që vazhdojnë të abuzojnë me mandatin tuaj, për karrierë të mbrapshtë personale.
Në rrugët e gjera të zhvilimit të sipërmarrjes suaj qeveria shikon partnerë të sigurtë për mirëqenie dhe zhvillim, si dhe për më shumë mbështetje për jetën dhe të ardhmen e fëmijëve dhe prindërve të mrekullueshëm skrapallinj. Unë ju garantoj se do të jemi së bashku në këtë rrugë të gjerë drejt Europës moderne".
Më pas, Kryeministri Nano ka zhvilluar një vizitë në qytetin e Beratit.