Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti sot në një takim zotin Abbas Abbasov, Zëvendëskryeministër i Republikës së Azerbaixhanit. Ne fillim te takimit Zëvendëskryeministri Dokle vlerësoi
Zëvendëskryeministri Namik Dokle priti sot në një takim zotin Abbas Abbasov, Zëvendëskryeministër i Republikës së Azerbaixhanit.
Ne fillim te takimit Zëvendëskryeministri Dokle vlerësoi vizitën e homologut të tij azerbaixhanas, si shprehje e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Ai shprehu vullnetin e Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat.
Z. Dokle e njohu z. Abbasov me zhvillimet ekonomike të vendit tonë, me përpjekjet që po bën Qeveria Shqiptare për realizimin me sukses të reformave të nisura. Gjithashtu, zëvendëskryeministri Dokle vuri në dukje arritjet e deritanishme në fushën e privatizimit, në marrëdhëniet me donatorët e huaj, si dhe përpjekjet e bëra në kuadrin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Rural, si pjesë e rëndësishme e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social.
Nga ana e tij, z. Abbasov vlerësoi zhvillimet ekonomike të Shqipërisë. Ai vlerësoi ecurinë e Projekteve të Bankës Botërore në vendin tonë në fushën e mikrokredisë. Në këtë drejtim, Zëvendëskryeministri azerbaixhanas theksoi faktin se në Shqipëri është bërë një punë shumë e mirë për zhvillimin e shërbimit të mikrokredisë në zonat rurale dhe se kjo performancë do të shërbente si një eksperiencë pozitive për implementimin e këtij shërbimi në Azerbaixhan.
Të dy palët shkëmbyen mendime dhe qëndrime të njëjta për një bashkëpunim të frytshëm midis dy vendeve, me qëllim realizimin me sukses të reformave ekonomike në drejtim të zhvillimit të ekonomisë së tregut.