E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poradeci e Fishta thirrje autoriteteve: Shpëtoni Joklin!

 

Alma Mile
Përse shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë? I shpëtoi vërtetë kodi i nderit, apo besa? Sa hebrenj hynë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ç’rol luajti shteti shqiptar, cili ishte fati i hebrenjve të Kosovës...
Janë këto pyetje që marrin përgjigje në monografinë shkencore “Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi”, me autor Prof. Dr. Shaban Sinanin, botim i shtëpisë botuese “Naimi”. Ndryshe nga sa është shkruar dhe folur për qëndrimin unik të shqiptarëve si mikpritës dhe mbrojtës të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sjellje që ka habitur botën, duke u shpjeguar kryesisht nga pozicione romantike, folklorike, diletante, deri tek shtrembërimet dhe frika për të thënë të vërtetën, Shaban Sinani, pas një pune dhe kërkimi shkencor të mirëfilltë që nis këtu e 20 vjet më parë, ka arritur të realizojë një monografi pothuaj shteruese për këtë argument. Monografia “Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi” është e ndarë në 11 kapituj, që shtjellohen në rreth 500 faqe tekst, ku përfshihen edhe disa dhjetëra ilustrime të argumenteve me dokumente origjinale, foto e dëshmi, si dhe qindra referenca të autorëve vendës dhe të huaj që janë marrë me këtë temë. Shumica e dokumenteve dhe dëshmive zbulohen për publikun për herë të parë, ashtu siç shqiptohen për herë të parë fakte, qëndrime dhe këndvështrime krejt të reja për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve në trojet shqiptare. Për të realizuar këtë studim, Sinani, ka shfrytëzuar një material të bollshëm, i cili nuk lë vend për njëanësi, pasi aty përballen burime italiane, gjermane, amerikane, britanike e shqiptare. Çështjet që trajtohen në këtë libër janë “Qëndrimi ndaj hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë periudhës fashiste”, “Politika italiane dhe pranimi i hebrenjve në Shqipëri”, “Intelektualët shqiptarë kundër judeofobisë dhe fundi i hidhur i Norbert Joklit”, “Hebrenjtë në Shqipëri dhe shpëtimi i tyre në periudhën naziste”, “Etnotipi shqiptar dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës”, “Divizioni SS “Skanderbeg” dhe fati i hebrenjve në Kosovë në periudhën naziste”, “Shqiptarët dhe Shoah në kontekst ndërkombëtar”.
Intelektualët në mbrojtje të Joklit
Fati nuk e deshi që ai të shpëtonte, ndonëse nuk munguan përpjekjet. Albanologu i shquar hebre Norbert Jokli numërohet një ndër viktimat e holokaustit. Nazizmi nuk falte askënd, pavarësisht meritave. Intelektualët shqiptarë bënë të pamundurën për shpëtimin e tij. Nuk munguan përpjekjet për të organizuar një udhëtim të fshehtë për profesorin e Universitetit të Vjenës. Për këtë u dërguan edhe letra e lutje drejtuar autoriteteve shqiptare e italiane. Në librin e tij “Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi”, studiuesi Shaban Sinani na ofron dy dokumente të rëndësishme që dëshmojnë pikërisht këtë përpjekje të intelektualëve shqiptarë. Njëra prej tyre është shkruar vetëm dy ditë pas bashkimit të Austrisë me Gjermaninë, nga poeti i shquar Lasgush Poradeci. Është një thirrje publike që daton 22 maj 1938, në formën e dorëshkrimit, të cilin poeti e ka nënshkruar me emrin e tij letrar. Në këtë letër prej disa faqesh, Poradeci rendit vlerat e çmuara të albanologut, i cili ka ndihmuar jo vetëm në prezantimin e kulturës shqiptare, por ka merita edhe në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Ai i bën thirrje autoriteteve që të bëjnë përpjekje për ta shpëtuar albanologun nga urrejtja naziste dhe të mundësojnë ardhjen e tij në “atdheun e dytë shpirtëror”, në Shqipëri. Një tjetër emër i shquar i letërsisë shqipe bën përpjekje për shpëtimin e Joklit. Bëhet fjalë për At Gjergj Fishtën, i cili tenton ca më tej. Ai i dërgon një lutje mëkëmbësit të mbretit italian në Shqipëri, gjeneralit Francesco Jacomonit, për ta ndihmuar atë të gjejë një strehë, në mos në Shqipëri, në Amerikë. “Kombi shqiptar, i tani, do t’ju dijë për nder shumë, nëse Shkëlqesia e juej të mund të gjejë mundësinë ta bajë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty një vend, edhe pse jo aq fitimprurës, megjithatë të përshtatshëm për famën e tij si shkencëtar e gjuhëtar i shquem”, shkruan Fishta. Por me gjithë përpjekjet e intelektualëve shqiptarë, fati i Joklit, duket se ishte paracaktuar. Nuk dihet saktësisht se si ndodhi zhdukja e tij. Është shkruar se u dërgua menjëherë në kampin Maly Trostinec, afër Minskut, ku u ekzekutua në 6 maj të vitit 1942, por ekziston dhe një tjetër variant, sipas të cilit ai vdiq nga torturat në Vjenë. Pavarësisht formës, se si, ai u zhduk nga “industria” hitleriane. Pasuria e tij e vetme, biblioteka, të cilën ai dëshironte t’ia linte trashëgimi shtetit shqiptar, u konfiskua nga nazistët si prona e një hebreu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›