Mjeku Dautaj, në gjyq edhe qytetari që dha ryshfet
TIRANE - Kastriot Dautaj, kirurgu i akuzuar për “korrupsion” do të gjykohet nga gjykatësi Ilir Çeliku. Dosja në ngarkim të tij është hedhur dy ditë më parë në short, në sekretarinë e gjykatës, pasi u nda nga i bashkëpandehuri me të Ibrahim Haka. Të dy këta u vunë në pranga, në verë të vitit të kaluar, të akuzuar për korrupsion. Sipas Prokurorisë, Haka i dha një shumë prej 50 mijë lekësh të reja doktorit Dautaj, menjëherë sapo ai përfundoi me sukses një ndërhyrje kirurgjikale në veshka të vajzës së Hakës. Pas arrestimit, paratë iu gjetën në xhep mjekut, ndërsa një ditë më vonë babai i pacientes u la i lirë, pasi u akuzua për “korrupsion pasiv”, ndërsa mjeku për “korrupsion aktiv” u la në qeli për dy javë. Apeli e liroi më vonë dhe pas daljes nga qelia ai u hetua me arrest shtëpie. Pas verifikimeve të kryera nga hetuesit e çështjes, ka rezultuar se mjeku Dautaj kishte depozituar nëpër disa banka shuma që shkonin në rreth 600 mijë USD, të cilat nuk justifikoheshin nga paga e Dautajt si mjek, pedagog dhe puna në klinikën e tij private, siç pretendon vetë mjeku i marrë nën procedim penal. Aktualisht gjyqi ndaj Hakës ndodhet drejt fundit, pasi po procedohet duke aplikuar gjykimin e shkurtuar në këtë proces. Për këtë shkak u nda dosja e mjekut nga ai, pasi Dautaj ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për mënyrën sesi paratë që iu gjetën të ishin të destinuara për korrupsion. fa.ma.
Tre të rinj kapen me euro të falsifikuara
KAVAJE – Kapen tre persona me euro false, i këmbenin nëpër karburante. Policia e Tiranës pohoi dje zyrtarisht se në qytetin Kavajës ishin vënë në pranga tre të rinjtë David Xhihani, Mirjan Ajzai dhe Urim Nelaj. Këta ishin kapur në flagrancë teksa tentuan të shkëmbenin në një karburant një kartëmonedhë të prerjes 100 euro, e cila ishte falsifikuar. Duke pretenduar se ishin emigrantë dhe u duheshin lekë shqiptare, ata tentuan të thyenin kartëmonedhën e falsifikuar. Pasi u zbuluan se monedha prerje 100 euro ishte false, u njoftua policia, e cila i arrestoi pas pak minutash. Gjatë kontrollit atyre iu kap në portofol edhe një kartëmonedhë tjetër 100 euro e falsifikuar, ndërsa të tre të rinjtë u dërguan në qeli. Dy monedhat u dërguan në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës për t’u ekspertuar. Pasditen e djeshme tre të arrestuarit u morën në pyetje prej oficerëve të Policisë Gjyqësore, ku mësohet se janë pyetur rreth origjinës së kartëmonedhave të falsifikuara. Policia pohoi se tre të arrestuarit dyshohet se janë anëtarë të një rrjeti të përbërë nga disa persona dhe që ka objektiv të punës prodhimin dhe shpërndarjen e eurove false. fa.ma.
Hakmarrje për Pepën, rrihet në qeli Haxhia
PEQIN – Rrihen të burgosurit e sigurisë së lartë në qelitë e Peqinit, Agim Pepa pretendon se janë rrahur në shenjë hakmarrje për të. Sapo ka nisur mbrëmja e dy ditëve më parë, rreth orës 17:30, i dënuari Bashkim Haxhia, shok i Agim Pepës ka qëlluar me bombol gazi në kokë bashkëvuajtësin Kastriot Dervishi, shok i Dritan Kateshit. Lajmin e bëjnë të ditur burime nga burgu, sipas të cilëve, 41-vjeçari Haxhia, i dënuar me 20 vjet burg si anëtar i bandës së Durrësit, ka shfrytëzuar momentin kur pranë tij dhe Dervishit, 37 vjeç, i dënuar me 17 vjet si ish-anëtar i bandës së Kateshit, nuk kishte policë dhe e ka qëlluar me bombolën e gazit në kokë. Gjithçka ka ndodhur në sektorin “C” të sigurisë së lartë të burgut të Peqinit. Sapo ka nisur grindja kanë ndërhyrë me të shpejtë efektivët e policisë, të cilët kanë dërguar në izolim Haxhinë, ndërsa Dervishit i është dhënë ndihmë mjekësore. Burime nga burgu pohojnë se menjëherë pas ngjarjes, Agim Pepa ka pohuar se Haxhia kishte qëlluar ndaj Dervishit, në shenjë hakmarrje për rrahjen e Agim Pepës, nga anëtarë të bandës së Elbasanit, rreth një muaj më parë. fa.ma