Ndalet Interi, Liverpuli luan blofin
Interi është ndalur dje në transfertë pas një barazimi 1-1 kundër rusëve të Rubin Kazanit. Trajneri Murinjo gjithsesi e ka marrë me sportivitet ndalesën e radhës, duke mos dashur të krijojë polemika, ndonëse ka ngelur i pakënaqur nga sulmuesi Baloteli. Barcelona 2-0 ndaj Dinamos së Kievit me golat e Mesit dhe tw Rodriguezit. Lioni shkatërroi në transfertë Debrecenin, duke treguar se është një skuadër që pretendon. Liverpuli ishet padyshim surpriza e madhe e mbrëmjes së djeshme, pasi u mund nga Fiorentina me rezultatin 2-0. Arsenali i Vengerit mposhti 2-0 Olimpiakosin, ndërsa AZ Alkmari barazoi 1-1 ndaj Standart Liezhit.
Reali
Real i Madridit pret të ketë një ndeshje të fortë përballë Marsejës në Ligën e Kampionëve. “I kam ndjekur ndeshjet e fundit në të cilat kanë luajtur,- ka deklaruar trajneri Pelegrini - Ndeshjen kundër Milanit, në Ligën e Kampionëve, atë kundër Bordosë, si dhe ndeshjen e fundit kundër Valonsien. Tashmë kam informacion të mjaftueshëm, për të mos mbetur i habitur”.
Milani
Trajneri i Milanit, Leonardo ka deklaruar se ndaj Zyrihut do jetë e vështirë, por duhet fitorja për të qetësuar gjendjen e skuadrës. “Ne duhet të tregohemi të qetë në fushë dhe të mos influencohemi nga rezultatet jo të mira në kampionat. Është e rëndësishme që të fitojmë në këtë ndeshje.” – ka thënë tekniku brazilian.
Juventusi
Alesandro Del Piero dhe Juventusi kanë mbërritur me një orë e një çerek vonesë pas një problemi me çarterin. “Pinturikio” është i lumtur që ka udhëtuar në Mynih me skuadrën dhe pret një mundësi nga trajneri Ferrara: “Nga Gjermania kam kujtime të bukura, një nga momentet më emocionuese dhe të lumtura të jetës sime, fitorja e botërorit. Çfarë dua të bëj për këtë Juventus? Thjesht kapitenin. Ndaj Bajernit duhet të korrigjojmë barazimin në shtëpi me Bordonë”, ka thënë Alesandro Del Piero.
Bajerni
“Jemi në një fazë përmirësimi, - ka thënë trajneri Luis Van Gal – por ndeshja e mbrëmjes së nesërme (sot) do të jetë një test shumë i rëndësishëm për ne. Juventusi ka një mbrojtje të nivelit të lartë, një grup lojtarësh të përzier mes të rinjve dhe eksperiencës, një skuadër me një shpirt të madh gare dhe individualitete të jashtëzakonshme si Diego dhe Del Piero. Të gjithë këto gjëra e bëjnë këtë përballje shumë të vështirë nga të gjitha pikëpamjet”.