E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalet Vëllaznimi, përfiton Trepça ‘89

Vëllaznimi – Lepenci 2:2

Vëllaznimi nuk e ka shfrytëzuar mirë gabimin e Prishtinës për t’u shkëputur më fort në krye të tabelës së Superligës, pasi dueli i tij me Lepencin ka përfunduar pa fitues, 2:2. Golat për kuqezinjtë i kanë shënuar Rafet Mullallari në minutën e 2-të dhe Fatih Karahoda në minutën e 24-të. Ndërsa, Lepencit disfatën ia ka evituar Muhabi Bushi, i cili i ka shënuar dy gola në minutat e 23-të dhe 45-të. Vëllaznimi mbetet lider i Superligës me 47 pikë, vetëm një më shumë sesa Prishtina, derisa ky barazim rrit gjasat e kaçanikasve për të mbetur në elitë.

Trepça ’89 – KEK-u 4:1

Gabimet e Prishtinës e Vëllaznimit i ka shfrytëzuar kandidati tjetër për titull të kampionit, Trepça ’89, e cila e mposhti në Mitrovicë KEK-un me rezultat bindës 4:1. Hero i mitrovicasve ishte sulmuesi Kastriot Rexha, i cili shënoi katër gola. Rexha shënoi në minutën e 2-të, 35-të, 62-të dhe të 86-të. Kurse, golin e vetëm për mysafirët e ka realizuar Menduh Salihi. Por, nga minuta e 24-të KEK-u ka luajtur me një lojtar më pak, pasi gjyqtari me karton të kuq nga loja e ka përjashtuar portierin Flakron Dedincën. Trepça ’89 mbetet në vendin e tretë në tabelë me 45 pikë, një më pak se Prishtina dhe dy më pak sesa lideri, Vëllaznimi. Kurse, KEK-u në vendin e fundit me 21 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›