Krasniqi: Mund të ketë zgjedhje të parakohshme
PRISHTINë- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk e ka përjashtuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjatë vitit të ardhshëm. “Nëse është interesi i Kosovës, nëse është interes i institucioneve dhe i demokracisë së vendit, unë nuk e them se medoemos zgjedhjet duhet të mbahen në vitin 2011. Nëse është interesi i përbashkët që zgjedhjet të mbahen në 2010, atëherë unë si kryetar i Parlamentit, por edhe si sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike, jam në shërbim të proceseve demokratike që e avancojnë jetën politike dhe demokratike në Kosovë”, ka thënë Krasniqi në një intervistë.Në këtë intervistë, kryekuvendari po ashtu ka kritikuar Qeverinë për shkak të – siç u shpreh ai – ngadalësisë në përgatitjen e ligjeve, ndërkaq ka thënë se sa i përket pjesës veriore të vendit, EULEX-i i ka ndihmuar institucionet e Kosovës, por në fushat tjera deri tani nuk ka pasur ndonjë sukses të dukshëm. “Në disa detyra, sa i përket pjesës veriore të vendit, mund të themi se EULEX-i i ka ndihmuar institucionet e Kosovës. Megjithatë, në fushat tjera deri tani nuk ka pasur ndonjë sukses të dukshëm. Shpresojmë që në vitin e dytë të ketë suksese”, tha Krasniqi.(m.a/rtk/BalkanWeb)