Ndalimi i vizitave në Kosovë, EULEX-i nuk e ndihmon Beogradin
Serbia e ka vlerësuar si provokim ndalimin e vizitave të autoriteteve serbe në Kosovë, ndërkohë që nuk e ka gjetur përkrahjen e institucioneve ndërkombëtare për anulimin e tij. Zëvendës/shefi i misionit të Bashkimit Europian në Kosovë, Roy Reeve ka deklaruar se EULEX-i nuk do të përzihet në zgjidhjen e problemit mes Prishtinës dhe Beogradit lidhur me ndalimin e vizitave të autoriteteve serbe në Kosovë. Reeve ka thënë se kjo është çështje për qeverinë e Prishtinës dhe atë të Beogradit dhe e raporteve midis tyre që zhvillohen përmes përfaqësuesit special të Bashkimit europian në Kosovë, Pieter Feith. "është në interesin tonë të mos shkohet deri në tensionimin e situatës apo në ndonjë incident, por Policia e Kosovës është ajo që ka përgjegjësinë për përcjelljen e zyrtarëve të që vijnë në Kosovë", ka deklaruar Reeve, duke përsëritur se përcjellja e zyrtarëve nuk është përgjegjësi e EULEX-it. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç ka deklaruar se do ta respektojë vendimin e qeverisë së Prishtinës për ndalimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë. Bogdanoviç kishte planifikuar të vizitonte të enjten njërën nga enklavat serbe, por është detyruar ta anulojë takimin me banorët e fshatit Prilluzhë. Ai e ka cilësuar urdhëresën e qeverisë së Kosovës si provokim të radhës për serbët. por Qeveria e Kosovës e ka arsyetuar vendimin e saj me mosrespektimin e formatit të vizitave nga ana e zyrtarëve serbë, duke i shfrytëzuar ato edhe për qëllime politike dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike.