Serbja "Danas": Kosova e gatshme për reagim të armatosur
Qeveria e Kosovës është e gatshme që të marrë një vendim për ndërhyrje të armatosur, në rast se serbët e veriut vendosin që t'i bashkohen Serbisë apo të shpallin pavarësinë e kësaj pjese të Kosovës, shkruan e përditshmja serbe "Danas". Sipas kësaj gazete, për mundësinë e ndërhyrjes së armatosur për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është njoftuar edhe bashkësia ndërkombëtare. Ndonëse autorët apo subjektet politike të deklaratës së publikuar të martën që fliste për pavarësinë e veriut nuk kanë dalë para opinionit, nga Prishtina zyrtare ajo është marrë me seriozitet dhe janë paralajmëruar reagime varësisht gjendjes në këtë pjesë të Kosovës. "Jemi të gatshëm edhe për reagim të armatosur", citohet nga "Danas" të ketë thënë ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi. Ministri Rexhepi ka thënë se të gjithë ata të cilët do të shpallnin pavarësinë e pjesës veriore, pra që do të ndërmerrnin këtë hapa aventuresk, do të arrestoheshin nga policia. I pyetur se a mundet Prishtina zyrtare të marrë njëanshëm këtë hap, për reagim të armatosur, apo nëse do të duhej të merrte pëlqimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, nga KFOR-i, EULEX-i dhe Zyra e Pieter Feith, ministri Rexhepi është përgjigjur se Qeveria e Kosovës e ka njoftuar për të gjitha EULEX-in dhe përfaqësuesin civil ndërkombëtar. Letra e cila përmban deklaratën për "pavarësinë e veriut", mbetet një enigmë përsa i përket autorësisë së saj edhe për faktorin politik serb, pasi deri tani asnjë subjekt serb as në Kosovë dhe as në Serbi nuk ka pranuar se qëndron prapa saj.