Ndalin reshjet, përmirësohet ndjeshëm situata në verilindje dhe juglindje
MPPTT: Janë të kalueshme të gjitha rrugët, edhe ato rurale
Situata në zonat e bllokuara nga dëbora në veri të vendit shfaqet e përmirësuar. Falë ndërhyrjes së Bashkisë Pukë në zhbllokimin e rrugëve brenda qytetit situata duket më e normalizuar dhe banorët kanë nisur të lëvizin. Nga ndërmarrja e rrugëve është bërë i mundur zhbllokimi i këtij aksit Shkodër-Fushë Arrëz. Përmirësimi i kushteve meterologjike, dhe ndërprerja e reshjeve të borës, u ka dhënë mundësi Drejtorive Rajonale të Rrugëve të ndërhyjnë në të gjitha segmentet rrugore për hapjen e tyre nga bora ne qarkun e Dibrës. Mjetet e Drejtorisë së Rrugëve dhe kompanive të kontraktuara kanë hapur disa segmente kombëtare. Në aksin tjetër drejt Kukësit po punojnë 3 fadroma ndërsa është bërë i mundur kalimi me zinxhirë deri në komunën Zalldardhë. Aksi Kombëtar Peshkopi-Tiranë është i hapur në 2 korsi dhe kalimi bëhet pa zinxhirë, kjo pasi të gjitha mjetet kanë punuar pa ndërprerje dhe është trajtuar me kripë e skorje. Situatë shfaqet më e përmirësuar se e ditëve të tjera në qarkun e Kukësit. Rruga e Kombit qarkullohet pa probleme dhe e kalueshme pa zinxhirë. 10 njësi vendore aktualisht janë të bllokuara. Pa energji elektrike janë dy komuna në Kukës dhe 6 fshatra në Tropojë, si dhe janë kryer tre fluturime për urgjenca mjekësore.