E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen 5 afganë në kufirin Shqipëri- Greqi

Policia e Gjirokastres

GJIROKASTER- Policia e Gjirokastrës ka arritur të ndalojë udhëtimin drejt Tiranës të pesë shtetasve afganë, të cilët kishin hyrë ilegalisht nga Greqia. Të pesë afganët kanë arritur të identifikohen krejt rastësisht gjatë një kontrolli rutinor të ushtruar në automjetin taksi, drejtuar nga Kastriot Shutaj nga Vlora. Burimet zyrtare policore, kanë precizuar se afganët, kanë qenë të papajisur me pasaportë apo vizë për hyrje legale në territorin shqiptar dhe kësisoj janë ndaluar duke u shoqëruar fillimisht në ambjentet e Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës. Në bazë të dëshmive, destinacioni i tyre do të ishte Italia.

Mendohet se vetë shoferi i taksisë, ka qenë personi që i ka pritur afganët nga territori helen për ti shoqëruar më pas ata në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Policia e Gjirokastrës nisur nga faktet e servirura nga vetë shtetasit afganë, ka nisur procedimin penal në ngarkim të taksistit nga Vlora.

Sipas policisë, të pesë afganët kishin hyrë në mënyrë ilegale në Shqipëri përmes vijës kufitare të gjelbër, dhe mandej kishin përshkuar me këmbë fushën e fshatit Vrisera në drejtim të Gjirokastrës dhe në rrugën nacionale në vendin e quajtur Zervat, kanë dalë në rrugë, ku dhe i priste taksia.

Piro Nase

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›