Ndalohet 27-vjeçari, kishte vjedhur tre kisha
Gjirokastër- Efektivat e policisë lokale së fundi kanë zbardhur gjashtë vjedhje të ndodhura në zonën e Gjirokastrës, duke ndaluar edhe një person, i dyshuar si autor i tyre. Bëhet fjalë për vjedhjen e disa shtëpive të banimit, godinave shkollore, madje edhe kishave gjatë vitit 2010, si edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Gjirokastër , kanë ndaluar 27-vjeçarin Lekësi Ceka, nga Tepelena, për veprën penale të “vjedhjes”. Gjatë hetimeve intensive, specialistët antikrim në Gjirokastër kanë arritur në përfundimin se i ndaluari është autor i vjedhjes me thyerje të një banese në fshatin Bularat, Dropull, regjistruar në janar të këtij viti. Gjatë kësaj ngjarjeje ai ka marrë orendi të ndryshme shtëpiake si edhe një sasi lëkurësh. Gjithashtu, 27-vjeçari Ceka në datën 27 shkurt 2011 ka tentuar të vjedhë kompjuterat e shkollës së Sheperit, Zagorie, por pasi është pikasur nga banorët është larguar menjëherë. “Nga veprimet hetimore të kryera, rezultoi se gjatë vitit 2010 i ndaluari ka vjedhur edhe 3 kisha në komunën Pogon, të rrethit Gjirokastër dhe prej arkave të tyre ka marrë lekët e dhuruara nga besimtarët”, thonë burime në grupin hetimor. Policia, në cilësinë e provës materiale, ka sekuestruar sendet e vjedhura. Gjatë dy muajve të parë të këtij viti nga ana e policisë së Gjirokastrës janë zbardhur 16 vjedhje si dhe janë ndaluar 4 persona të dyshuar si autorë të tyre. B.SH