E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e të pushkatuarit futen në grevë urie

VLORË- Familjarët e një prej të pushkatuarve në regjimin e diktaturës janë futur në grevë urie, pas përpjekjeve të dëshpëruara për dorëzimin e eshtrave të vëllait. Vendimi është marrë nga Arben Bilali, një nga vëllezërit e Xhevat Bilalit, i cili në gusht të vitit 1984 është pushkatuar nga regjimi i asaj kohe për shkak se kishte vjedhur dhe i kishte sjellë dëm shtetit 7634 lekë të reja. Prej më shumë se 22 vitesh, familjarët e të pushkatuarit po kërkojnë eshtrat e vëllait të tyre, i cili sipas hartës së marrë nga Dega e Brendshme e asaj kohë ndodhet në një zonë të përcaktuar në hartë në Pyllin e Sodës. Prej më shumë se 22 vitesh Arbeni së bashku me vëllezërit e tij kanë gërmuar pothuajse të gjithë territorin e parashikuar në hartë, por nuk kanë gjetur asnjë shenjë të vëllait të tij të pushkatuar. Prej shumë vitesh ecejaket e tyre kanë shkuar dëm, duke takuar personat të cilët kanë qenë pjesëmarrës në pushkatimin e Xhevitit dhe për të ditur vendin ku është vrarë dhe varrosur. Për të gjitha këto vëllezërit Bilali, pa pasur më asnjë shpresë, kanë vendosur që të vendosen në një kasolle në pyll të sodës dhe të futen në grevë urie. Ata i bëjnë me dije të gjithë personave të cilët kanë qenë dhe kanë dijeni për varrin e të vëllait të tyre që të tregojnë që dhe nëna e tyre të ketë mundësi për të çuar një buqetë me lule në varrin e të riut të pushkatuar në gusht të ’84-s. e.h.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›