E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e skrapit, pesë persona vdesin në Gramsh dhe Ersekë

Tragjedi e rëndë në rrethin e Gramshit, ku tre persona humbën jetën, gjatë përpjekjeve për të nxjerrë skrap në një godinë të vjetër. Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes, në fshatin Bratilë të komunës Kodovjat, ku viktimat kishin mbërritur me një makinë “Land Rover” me targa të huaja, për të nxjerrë hekur në godinën e ish-rezervave të shtetit. Burime nga policia lokale, të cilët po hetojnë ngjarjen bënë me dije se viktimat janë Altin Elezi, 37-vjeç, Dritan Hoxholli, 28 vjeç dhe Nazif Boja, 22 vjeç. Në momentin e tragjedisë, ata kanë qenë duke shembur soletën e ndërtesës së vjetër, për të marrë hekurin që ndodhej në të. Shembja e ndërtesës së amortizuar ka zënë brenda 3 personat, duke u marrë jetën atyre. Kanë qenë banorë të zonës ata që lajmëruan policinë, por megjithë përpjekjet e bëra, asnjëri prej tyre nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. Më herët, një tjetër ngjarje e rëndë kishte ndodhur në qytetin e Ersekës, ku dy punëtorë mbetën të vdekur brenda një guroreje, duke e çuar në 5 numrin e viktimave të ditës së djeshme. Dy viktimat ishin nisur mëngjesin e djeshëm në punën e përditshme për të mos u kthyer më të gjallë prej andej. Sipas burimeve të policisë së Ersekës, bëhet e ditur se gjithçka ka ndodhur pasditen e djeshme rreth orës 17.30 në vendin e quajtur “Hollme”, në fshatin Qinam-Ersekë. Po të njëjtat burime kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur në këtë gurore gjatë punës për të marrë çakëll, është shkëputur një masiv dheu dhe për pasoje kanë gjetur vdekjen Bujar Avdyli 59 vjeç, banues në Qinam-Erseke dhe Pandi Prifti 64 vjeç, banues në fshatin Shtike-Erseke. Fillimisht ka qenë punëtorë të tjerë të kësaj firme për të cilën ata punojnë që janë përpjekur për t’u dhënë atyre ndihmën e parë, por duket se gjithçka ka qenë e kotë, pasi ka qenë shumë e vështirë nxjerrja e tyre nga masivi i dheut që i kishte zënë poshtë. Përgjatë disa minutave ata janë përpjekur për t’i nxjerrë prej andej, por të pajetë. Menjëherë ata kanë lajmëruar edhe uniformat blu, të cilët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë në pyetje fillimisht punëtorët, të cilët kanë shpjeguar sesi kishte ndodhur ngjarja e rëndë. Sipas dëshmisë së njërit prej punëtorëve të firmës, “dy viktimat kanë qenë duke nxjerrë gurë në një nga shpatet e malit në fshatin Qinam, kur në një moment është shkëputur një sasi e madhe dheu. Nuk patëm kohë që t’u kërkonim atyre të largoheshin, pasi gjithçka ka ndodhur shumë shpejt”. Ndërkohë, policia lokale ka marrë në pyetje edhe përfaqësuesit e firmës për të dhënë shpjegime, nëse janë respektuar apo jo rregullat teknike gjatë punës. Më pas mësohet se ekspertët kanë dalë në një përfundim paraprak, se ngjarja ka ndodhur në mënyrë aksidentale. Megjithatë, materialet dhe provat e mbledhura në vendin e ngjarjes për këtë rast i kaluan Prokurorisë Korçë për hetime të mëtejshme. Trupat e pajetë të dy punëtorëve janë dërguar në shtëpitë e tyre, ndërsa sot pritet që ata të përcillen për në banesën e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›