Ndalohet greku, trafikonte marijuanë për në Greqi
Kakavije- Një shtetas grek është ndaluar nga strukturat e Policisë së Shtetit në Stacionin Kufitar të Kakavijes ndërsa trafikonte një sasi marijuanë në drejtim të Greqisë. Sasia e drogës në formë bohçesh të thara marijuana ishte fshehur në makinën e drejtuar prej tij. Sipas burimeve zyrtare në policinë e Gjirokastrës, shtetasi grek Iraklis Rousit, 33 vjeç, lindur dhe banues në Dhramas, Greqi, është ndaluar për veprën penale “trafik të narkotikëve”. Shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijes dispononin informacione të marra në rrugë operative, se një automjet me targa greke, që udhëtonte nga Gjirokastra në drejtim të Athinës, mund të transportonte lëndë narkotike. “Mbështetur mbi këtë informacion, ne rritëm masat e kontrollit dhe përforcuam regjimin kufitar në Stacionin e Policisë Kakavije”, thonë burimet policore. Rreth orës 15.25, të së martës, automjeti tip Mazda, me targë ZYT 71 55, me drejtues shtetasin grek Iraklis Rousit, është afruar në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavije për të kryer procedurat, për të kaluar në shtetin grek. “Mbështetur edhe mbi dyshimet që ne kishim, shërbimet e Policisë Kufitare kryen një kontroll të imtësishëm në automjetin e drejtuar nga shoferi grek”, thonë burime në Policinë Kufitare në Kakavije. Gjatë këtij kontrolli blutë e kufirit evidentuan në pjesën e poshtme të kroskotit, në faqen anësore të sediljes së djathtë të pasagjerit, një gazetë të mbështjellë, ku brenda saj kishte sasi të vogla lënde bimore të thara, në formën e bohçes të dyshuar si marijuanë. Në këtë situatë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. “Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve kanë bërë shoqërimin e drejtuesit të automjetit së bashku me lëndën narkotike si dhe të një personi nga Vlora që udhëtonte si pasagjer në automjetin me targa greke”, thonë burimet policore. Pas një pune profesionale dhe proceduriale të bërë nga ana e specialistëve antidrogë u arrit të vërtetohej se lënda narkotike i përkiste shtetasit grek Iraklis Rousit.