E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohet i dënuari me 7 vjet burg për trafik droge

Gjirokastër / Ndalohet i dënuari me 7 vjet burg për trafik droge

Nuk kanë zgjatur shumë vitet e jetës në ilegalitet për një të dënuar me 7 vjet heqje lirie për trafik droge. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, 26-vjeçari Hajri Buci, lindur në Lurë, Dibër dhe banues në Durrës, më 12 mars 2010 ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda në Tiranë, me 7 vjet burg për veprën penale “trafik të lëndëve narkotike”. Së bashku me një person tjetër, i cili është ndaluar nga drejtësia në vitin 2007, ai ishte implikuar në trafikun në drejtim të Greqisë të 212 kilogramëve marijuanë. Gjatë aksionit antidrogë të zhvilluar për goditjen e këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike, policia arriti të bllokonte në zonën e Libohovës sasinë e drogës, mjetin me të cilin transportohej ngarkesa me marijuanë, si dhe ndaloi njërin prej dy personave që transportonin drogën në drejtim të Greqisë. Pas një pune hetimore të bërë nga organet e drejtësisë, rezultoi se personi i cili kishte braktisur ngarkesën me drogë ishte 26-vjeçari Buci, i cili iu nënshtrua një procedimi penal në mungesë, duke u dënuar pas rreth tri vitesh me 7 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Gjatë kësaj kohe, për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë, ai jetonte ilegalisht në zona të ndryshme të vendit. “Së fundi, ne dispononim informacione të marra në rrugë operative se personi i dënuar për trafik droge po udhëtonte në drejtim të Gjirokastrës”, thonë specialistët e Parandalimit dhe të Hetimit të Krimit në Komisariatin e Gjirokastrës. Orët e vona të ditës së hënë, në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, efektivat blu kanë ndërprerë udhëtimin e të kërkuarit, duke bërë edhe ndalimin e tij. B.SH.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›