E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet e mitura për prostitucion e grabitje

Pogradec Përfundon në pranga minorenia, punonte si prostitutë dhe grabiste klientët. Një vajzë vetëm 15 vjeçe është dënuar me 2 muaj burg nga drejtësia, teksa një ditë më parë është prangosur nga forcat e policisë të komisariatit të Pogradecit. Histori e rrallë e të miturës ka nisur disa muaj më parë, kur ajo kishte filluar të ushtronte profesionin më të vjetër në botë. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë liqenore, mësohet se shtetasja me inicialet A.A. banore e lagjes numër 1 në Pogradec, ishte shpallur në kërkim prej pak kohësh. Nga të njëjtat burime mësohet se adoleshentja punonte si prostitutë në disa lokale të qytetit, ndërsa përveçse kësaj kishte dhe një tjetër profesion, atë të hajdutes. Ajo vidhte klientët me të cilët shkonte në shtrat, duke u grabitur shuma në lekë, por dhe sende personale me vlerë që ata dispononin. Pas denoncimit të një burri të rritur, policia është vënë në ndjekje të të resë, e cila akuzohet për veprën penale të “Vjedhjes” dhe “Ushtrim prostitucioni”. Në fakt A.A. është treguar më e shpejtë dhe pasi ka mësuar se policia lokale ishte duke e kërkuar për ta prangosur, është fshehur. Por ndërkaq çështja ka kaluar në gjykatë, teksa vajza është dënuar në mungesë me 60 ditë burg. Përsa i përket masës së dënimit, është marrë në konsideratë dhe mosha e saj, ndërkohë që të miturës do t’i duhet të vuajë dënimin në Burgun e Drenovës, në rrethin e Korçës, ku ka përfunduar pas arrestimit të saj. Minorenia kërkohej nga policia, ndërsa është dënuar me 2 muaj burg nga gjykata në mungesë. Vetëm gjatë të martës është bërë e mundur ndalimi i vajzës e cila është kapur në afërsi të qendrës së Pogradecit në shoqërinë e dy personave të njohur të saj. E shpallura në kërkim kishte filluar të dilte në qytet, ndërsa mendohej se gjatë kësaj kohe ishte rikthyer në shtëpinë e saj pas qëndrimit në ilegalitet. Ka mjaftuar një informacion i siguruar në rrugë operative që 15-vjeçarja të gjendej e rrethuar nga forcat e policisë së Pogradecit, të cilët e kishin në listën e personave të shpallur në kërkim. Vetëm pas ndalimit minorenia ka mësuar se ishte dënuar për dy vepra penale nga gjykata në mungesë.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›