Vocaj mbyll misionin në Tiranë, rendi në duart e Muçës
Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka firmosur emërimin e Tonin Vocajt në krye të Krimeve të Rënda. Sajmir Muça, kreu i ri i Policisë së Tiranës
Tiranë Tonin Vocaj mbyll misionin e tij, duke ia dorëzuar rendin e Tiranës një tjetër drejtuesi të lartë të Policisë së Shtetit. Rrokada është firmosur dje nga kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili ka vendosur të kthejë Vocajn në detyrën e dy viteve më parë, në atë të Drejtorit të Krimeve të Rënda. Në vendin e lënë bosh nga Vocaj është emëruar Sajmir Muça, i cili deri më dje ka mbajtur postin e kreut të Policisë së Elbasanit. Prezantimi i Muçës është zhvilluar paraditen e djeshme në ambientet e Policisë së Tiranës, ku në këtë prezantim, përveç Vocajt dhe Muçës, mori pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe të gjithë shefat e Komisariateve të Tiranës. Gjatë këtij takimi është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të detyrës nga ana e Vocajt dhe marrja e kësaj detyre nga ana e Drejtuesit të Parë, Sajmir Muça. Gjatë fjalës së tij, Muça ka pranuar detyrën e re, si dhe është shprehur se do të japë maksimumin e tij për të ruajtur rendin në kryeqytet. Ende nuk dihet nëse ky ndryshim do të pasohet nga ndryshime të tjera në radhët e shefave të Komisariatit apo të nëndrejtorëve të Policisë së Tiranës, por kjo gjë mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Drejtuesi i Parë, Sajmir Muça, i emëruar tashmë si Drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë, më parë ka ushtruar dhe detyra të tjera të larta në Policinë e Shtetit. Fillimisht, ai ka qenë shef komisariati në Elbasan dhe më pas është emëruar zv.drejtor i Policisë së Fierit, për t’u rikthyer më pas sërish në Elbasan si drejtor. Ndërkohë, në Elbasan është emëruar Jashar Vreka, i cili deri më dje ka mbajtur postin në të cilin është emëruar Tonin Vocaj, atë të drejtorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.