Dëshmitari: Më ofruan 100 mijë euro për “shtëpinë e verdhë”
Një kosovar denoncoi për RTK-në tentativën e blerjes së një dëshmie të rreme nga serbi, Igor Juçinac, mbi pretendimet për “shtëpinë e verdhë”
Deri në 100 mijë euro për një dëshmi të rreme. Jo për një histori dosido, po për “shtëpinë e verdhë”, e cila pas ripublikimit në raportin e Dik Martit po trazon sërish politikën ballkanike. Dëshmia vjen prej një kosovari, i cili i ka thënë RTK-së se është takuar prej serbit Igor Juçinac, i cili i ka ofruar një shumë të madhe parash për të pohuar krimet e pretenduara në shtëpinë e ndodhur në fshatin Rripë të Burrelit. Dëshmitari i RTK-së ka pohuar se Igor Juçinac, i ka ofruar shuma të mëdha të parave, ofertë të cilën nuk e ka pranuar dhe e ka paraqitur në polici. Dëshmitari ka thënë se dëshmia e tij kurrë nuk është marrë parasysh nga prokuroria. Policia e Kosovës arrestoi vitin e kaluar Igor Juçinac dhe dy serbë të tjerë, nën dyshimin se kanë kryer vepra kriminale, duke ofruar shuma të mëdha parash, më shumë se 100 mijë euro për të gjithë ata që bëhen dëshmitarë të aferës rreth marrjes dhe trafikimit të organeve njerëzore nga ushtarët e UÇK-së, gjatë luftës në Kosovë. Por të arrestuarit u liruan gjatë vitit 2010 nga një gjykatës ndërkombëtar, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme në akuzën ndaj të dyshuarve. Dëshmitari i RTK-së deklaroi se në takim, Igori i ka thënë se: ”kemi të bëjmë me një biznes fitimprurës”. Kur e ka pyetur se për çfarë biznesi bëhet fjalë, Igori i është përgjigjur se vinë disa persona nga Beogradi, që të kërkojnë një deklaratë nga ai, dhe duhet të thotë atë që të thonë ata, pa marrë parasysh nëse di diçka apo nuk di. “Më ka përmendur “shtëpinë e verdhë”, të cilën e kam dëgjuar për herë të parë nga ai” - thotë dëshmitari për RTK-në. Dëshmitari pohoi se së pari i ka ofruar 30 mijë euro për deklaratën e rreme, herën e dytë 70 mijë dhe herën e tretë 100 mijë euro, para të cilat nuk i ka pranuar. Dëshmitari i RTK-së dhe disa dëshmitarë të tjerë, nga të cilët u munduan të blejnë deklarata të rreme, nuk u morën kurrë parasysh nga prokurorët dhe gjykatësit, të cilët u morën me çështjen e arrestimit të tre serbëve të akuzuar për propagandë me trafikun e organeve.