Korrupsioni me uniformat, dosja tërhiqet nga gjykata
Rrëzimi i përgjimeve nga Gjykata e Lartë fut në ngërç procesin gjyqësor për korrupsionin me tenderin e uniformave të policisë. Në pamundësi të mbrojtjes së akuzave, prokuroria gati të tërheqë dosjen
Tiranë Skandali me tenderin e uniformave, për të cilin u prangos ish-drejtori i Prokurimeve të Përqendruara, Bujar Murati, dhe biznesmenë të akuzuar për korrupsion, pritet të përfundojë me pushim akuzash ose tërheqjen e dosjes nga ana e prokurorisë. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që shpall të pavlefshëm përgjimet telefonike të kësaj dosjeje, organi i akuzës është vënë në vështirësi për vijimësinë e procesit që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës. Duke qenë se pjesa më e madhe e provave bazohen mbi përgjime telefonike, të cilat tashmë nuk mund të përdoren më, automatikisht e çon çështjen drejt pushimit. Një kërkesë e tillë është bërë edhe nga mbrojtësit e të pandehurve në seancën e fundit gjyqësore, ndërsa prokuroria pritet të vendosë mbi mënyrën se si do të procedojë më tej. Mësohet se kërkesat e mbrojtësve të ish-drejtorit të Prokurimeve dhe biznesmenëve të akuzuar për korrupsion kanë të bëjnë me papërdorshmërinë e disa provave në seancë, pjesa më e madhe e të cilave janë përgjime telefonike e ambientale. Deri në një vendim nga ana e organit të akuzës, Gjykata ka vendosur të shtyjë procesin gjyqësor. Sipas burimeve të rezervuara mësohet se zgjidhja e detyruar që mbetet në dorën e prokurorisë është tërheqja e akteve hetimore nga gjykata dhe pezullimi i përkohshëm i procesit gjyqësor, deri në sigurimin e provave të reja. Në të kundërt, dosja mund të tërhiqet përfundimisht dhe akuzat ndaj të pandehurve të pushohen, edhe pse organi i akuzës pretendon se vepra penale e korrupsionit pasiv dhe aktiv ndaj të pandehurve është tërësisht e provuar. Pjesa më e madhe e aktakuzës së prokurorisë bazohet mbi përgjimet e lejuara me vendim të dy gjykatave, shkallës së parë dhe Apelit, edhe pse i pandehuri Murati dhe avokati i tij mbrojtës kërkuan në të dyja shkallët e gjyqësorit shpalljen e pavlefshme të këtyre përgjimeve. E ndërsa dy gjykatat e rrëzuan këtë kërkesë, Gjykata e Lartë argumentoi se përgjimet e lejuara nga gjykata nuk mund të përdoren në këtë proces, pasi nuk ka pasur idicie të mjaftueshme për të kërkuar vënien në përgjim të të dyshuarve. Ky argument u pasua nga vendimi se të gjitha bisedat e përgjuara, të cilat sipas prokurorisë tregojnë qartë aferën korruptive, ku biznesmenët që synonin të fitonin disa nga lotet e tenderit të ndarë në 12 pjesë, po mblidhnin 125 mijë euro për t’ia dhënë drejtorit të Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Po ashtu, në dosje ka biseda telefonike të përgjuara, të cilat tregojnë kontaktet e vazhdueshme të Muratit me biznesmenin Ilir Sulo, i cili nga ana e tij kishte marrë përsipër të organizonte edhe biznesmenët e tjerë që do të merrnin pjesë në tender, për të mbledhur paratë e kërkuara nga drejtori. Por vetëm pak kohë më parë, Gjykata e Lartë refuzoi përdorimin e këtyre përgjimeve duke ngritur një pikëpyetje shumë të madhe për ecurinë e kësaj çështjeje. Tashmë, dosja pritet t’i nënshtrohet një analize të detajuar në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila do të vendosë qëndrimin që akuza do të mbajë në gjykatë për dosjen që po shkon drejt pushimit.
125 Mijë euro dyshohet se është ryshfeti i bërë gati, për të përfituar tenderin e uniformave të policisë së shtetit. Kjo shumë ka dalë nga përgjimet, të cilat janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë
7 Të pandehur u përballën me akuzat e prokurorisë për korrupsion me tenderin e uniformave, mes të cilëve ish-kreu i Prokurimeve Publike dhe disa biznesmenë