Arrestohet 56-vjeçari, ngacmoi seksualisht të miturën
ELBASAN Policia e Elbasanit ka vënë në pranga B. Sulën 56 vjeç, me banim në lagjen “11 nëntori” në këtë qytet, pasi akuzohet se ka kryer veprime të turpshme me 12-vjeçaren me inicialet I. K., me banim në të njëjtën lagje. Sipas të dhënave të policisë, B. Sula ka kryer vepra të turpshme me të miturën brenda banesës së tij. Menjëherë pas ngjarjes vogëlushja ka treguar në familje. Prindërit, bashkë me vajzën, kanë kryer kallëzim penal në policinë e Elbasanit, e cila ka shkuar dhe ka arrestuar brenda në banesë 56-vjeçarin. Ndaj tij është ngritur akuza e kryerjes së veprave të turpshme me të mitur. Gjatë marrjes në pyetje, 56-vjeçari ka mohuar që të ketë kryer veprime të tilla, duke deklaruar se e trajtonte vogëlushen si fëmijët e tij. Sipas të akuzuarit, gjithçka është një keqkuptim e nuk bëhet fjalë për ngacmime seksuale. Megjithatë, çështja i ka kaluar Prokurorisë së Elbasanit për vijuar me hetimin e mëtejshëm. F.S.