E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas sherrit, 14-vjeçarja plagos me thikë të atin

Edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, 58-vjeçari vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, ndërkohë hidhen dyshimet për një incest

FIER Një krim brenda familjes ndodhi në qytetin Fier pasditen e së martës. Një 14- vjeçare goditi babanë e saj me thikë. Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se ngjarja u regjistrua në lagjen “8 Shkurti” të këtij qyteti, rreth orës 16 00. Lili Bushi rreth 58 vjeç është goditur tri herë me thikë nga vajza e tij adoleshente 14-vjeçare, XH.B. Burimet policore që shkuan menjëherë në vendngjarje, të njoftuara nga komshinjtë e shtetasit Bushi, thanë se konflikti ka pasur në qendër të tij shkaqe tërësisht të dobëta. Vajza e mitur ka debatuar me babanë e vet, pas kërkesave të këtij të fundit për të ndjekur sistematikisht mësimet. Babai i ka kërkuar vajzës që të ndiqte këshillat e tij, të mos mungonte në shkollë e të rriste cilësinë e notave të saj. Tonet midis babait dhe vajzës janë rritur shumë derisa kanë arritur në grindje. Ndërkohë, një tjetër pistë ku hetojnë uniformat blu është edhe ajo i abuzimit seksual, megjithatë hetimi mbetet ende në fazën e parë dhe kjo është një pistë që duhet vërtetuar.

Fqinjët e familjes Bushi kanë pohuar se kanë gjetur të përgjakur 58-vjeçarin brenda shtëpisë së tij, ndërsa e kanë dërguar atë në spitalin Fier, ku ai i është nënshtruar ndihmës mjekësore. Ndërsa fqinjët nuk kanë dhënë shumë detaje lidhur me ngjarjen, pasi kjo familje dhe gjithë lagjja banon në shtëpi private të rrethuara me mure të lartë. Në vendngjarje grupi hetimor ka fiksuar mjetin mprehës si dhe gjurmët e përleshjeve midis babait dhe fëmijës së tij. Grupi hetimor ka arritur të pyesë pjesëtarët e tjerë të familjes Ndërsa policia ka dhënë vetëm një deklaratë të thatë për shtypin. Në bazë të këtij njoftimi thuhet se vajza adoleshente XH.B. për shkaqe të dobëta ka goditur me thikë babanë e saj, 58-vjeçarin Lili Bushi. Në spitalin e qytetit Fier ka mbërritur për të marrë ndihmë mjekësore edhe adoleshentja, e cila edhe ajo është plagosur gjatë përleshjes me të atin. Bluza të bardha kanë pohuar se vajza ka qenë tepër gjakftohtë dhe ka marrë mjekime në dorën e saj të djathtë, dorë e cila ka qenë e plagosur me një prerje të lehtë thike. Mësohet se vajza është shprehur me mllef para bluzave të bardha se nuk do të dëshironte të shikonte më me sy babanë e saj. I plagosuri është i shtruar tashmë në repartin e reanimacionit, pas operacionit, ndërsa bluzat e bardha kanë pohuar se ai është ende në gjendje të rëndë për jetën. 58-vjeçari ka tri plagë në trup, në shpatull dhe në bark. Ndërsa, pasi ka marrë mjekimin e parë, vajza 14-vjecare është shoqëruar në mjediset e komisariatit nga uniforma blu fierake. Ajo pritet të merret në pyetje nga specialistët antikrim në prani edhe të një psikologu. Materialet e përpiluara do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Vlorë, Seksionit për të Mitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›