E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet në Rinas “vjehrra” e Aldo Bares

 

Trazhgim Sokolaj

Ndalohet në Rinas gjatë hyrjes në Shqipëri, “vjehrra” e personazhit të konsideruar si kapo i “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare. Vjollca Çela, 52 vjeçe, nëna e studentes së mjekësisë, e cila ishte “fejuar” me Aldo Baren, u ndalua dje në mesditë, menjëherë pasi është paraqitur në sportelin e kontrollit kufitar të policisë së Rinasit. Sipas burimeve zyrtare nga policia e aeroportit, nëna e të fejuarës së Aldo Bares, ka mbërritur në linjë ajrore në Shqipëri ndërsa oficerët e Rinasit e ndaluan atë menjëherë sapo kanë parë emrin në pasaportën e saj. Oficerët e Policisë Kufitare i kërkuan 52-vjeçares të shkojë me ta në komisariat për një verifikim. Në komisariatin e policisë së Rinasit, Vjollca Çelës i është komunikuar se emri i saj ndodhet në listën e dëshmitarëve që do të merreshin në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për llogari të hetimeve ndaj kreut të “Bandës së Lushnjës”. Me automjetet e policisë, e ndaluara është transportuar nga komisariati i Rinasit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë mbërritur menjëherë aty dhe i kanë sqaruar 52-vjeçares shkakun e ndalimit për t’u pyetur lidhur me tjetërsimin e pronave që zotëronte Aldo Bare. Një pjesë e konsiderueshme e pasurive që posedonte Aldo Bare, i njohur me emrin Alfred Shkurti, ishin hedhur vitet e fundit në emër të Denada Kodrës, vajzës së 52-vjeçares që u ndalua së fundi në Rinas. Për këtë shkak, prokurorët kanë kërkuar dëshminë e nënës së vajzës që kishte “përvetësuar” pasuritë e kreut të “Bandës së Lushnjës”. Prokuroria tha se kalimi i pronave të Aldo Bares në emër të Denada Kodrës, është bërë me qëllim fshehjen e tyre ndaj hetuesit e kanë parë të nevojshme të marrin deklarimeve nga nëna e vajzës, me të cilën ishte fejuar personazhi i konsideruar si kreu i “Bandës së Lushnjës”. Vetëm pak kohë pas arrestimit të Alfred Shkurtit në Turqi, ku iu gjet një pasaportë false me emrin Mikel Kodra, Prokuroria zbuloi lidhjen e tij me Denada Kodrën, studente për mjekësi në Rumani. Sipas hetimeve të organit të akuzës, drejtuesi i “Bandës së Lushnjës” kishte komunikuar, madje takohej rregullisht me studenten e mjekësisë gjatë kohës që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Agjentët kanë dokumentuar lëvizje të shpeshta të Aldo Bares nga Turqia, ku ishte vendosur me banim në drejtim të Rumanisë, ku e fejuara e tij vazhdonte studimet në degën e mjekësisë. Ajo kishte ndryshuar mbiemrin e saj menjëherë pas pasqyrimit të martesës, ku si i fejuari i saj ishte shënuar Mikel Kodra, emri i rremë i përdorur nga Aldo Bare gjatë lëvizjes së tij për t’i shpëtuar zbulimit dhe arrestimit nga Interpoli. Laguna e Karavastasë, tashmë e sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ishte hedhur nga emri i Aldo Bares në emrin e Denada Kodrës. Ky fakt u zbulua gjatë hetimit pasuror të aktivitetit të “Bandës së Lushnjës” me qëllim bllokimin e të gjitha pronave të zotëruara prej saj si objekte të përfituara nga fitimet e veprimtarisë kriminale.

Lirohet “vjehrra” e Bares, pranon dëshminë
Vjollca Çela, 52 vjeçe, nëna e të fejuarës së Aldo Bares ka qëndruar dje vetëm pak kohë në ambientet e policisë së Tiranës. Prokurorët i thanë së dëshmia e saj është e nevojshme për llogari të hetimeve ndaj “Bandës së Lushnjës”, ndërsa 52-vjeçarja ka kërkuar që të paraqitet një ditë tjetër duke pohuar se duhej të vazhdonte itinerarin e udhëtimit të saj privat në Shqipëri. Në këtë mënyrë, ajo është lënë e lirë vetëm pak orë pas ndalimit të saj në Rinas.

Studentja, pronare e “Lagunës së Karavastasë”
Një nga pronat kryesore që kishte përvetësuar Alfred Shkurti, i konsideruar si kapoja i “Bandës së Lushnjës”, ishte Laguna e Karavastasë. Kjo pronë është sekuestruar nga Prokuroria si pasuri e ardhur nga krimi, por bllokimi i saj ka ndeshur në probleme pasi objekti ishte hedhur në emër të Denada Kodrës, çka e kalonte të drejtën e pronësisë në emër të studentes, e cila nuk ka asnjë precedent penal në policinë apo Prokurorinë shqiptare.

Denada Kodra mori pronat e Aldo Bares pas “fejesës”

TIRANE-Prokuroria beson se kalimi i Lagunës së Karavastasë në emër të studentes së mjekësisë, Denada Kodra, është bërë me qëllim nga kreu i “Bandës së Lushnjës” për të shpëtuar pasurinë e tij nga sekuestrimi. Për ta bërë të besueshëm këtë transfertë Mikel Kodra (Aldo Bare) ka nënshkruar dokumentet e fejesës me Denada Kodrën. Pas zbulimit të pjesëmarrjes së studentes së degës së mjekësisë në “pronësimin” e Lagunës së Karavastasë, organi i akuzës ka kërkuar të marrë në pyetje Denada Kodrën, por për shkak se ajo ndodhet jashtë Shqipërisë, marrja e sqarimeve prej saj nuk ka qenë e mundur. Ajo dhe nëna e saj, konsiderohen nga Prokuroria si dëshmitare për hetimin pasuror që po zhvillojnë Krimet e Rënda lidhur me pronat e Aldo Bares me qëllim sekuestrimin dhe kalimin e tyre në emër të shtetit. Sekuestrimi i pasurive të personave të arrestuar parashikohet me ligj në rast se provohet se pronat janë blerë me para të fituara gjatë veprimtarisë kriminale.

Pronat e Aldo Bares

•  Prona në Lushnjë dhe Divjakë

•  Shoqëria “Laguna Karavasta” sh.p.k, me sipërfaqe 11.792 m2

•  Truall me sipërfaqe 470 metër2 në lagjen “Çlirimi”

•  Garazh dhe sipërfaqe 48 metër katrorë magazinë

•  Shuma prej 1.5 milionë lekësh

Transfertat, 130 mijë USD nga Lushnja për studenten
TIRANE – Gjatë hetimit pasuror të zhvilluar nga Prokuroria ndaj Aldo Bares, është mësuar se anëtarë të dyshuar të bandës, kanë dërguar para në adresë të studentes së degës së mjekësisë me qëndrim në Rumani. Sipas burimeve të akuzës, në periudha të ndryshme kohore deri në vitin 2005, persona që kanë përdorur identitete të rreme, kanë nisur në adresë të vajzës së fejuar me Aldo Baren (që ndryshoi emrin në Mikel Kodra) sasi që kapin shumën e 130 mijë dollarëve. Paratë e dërguara dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria e paligjshme dhe trafiqet për të cilat akuzohen anëtarët e bandës. Drejtuesi i saj Aldo Bare, aktualisht ndodhet i paraburgosur në Turqi ndërsa drejtësia shqiptare ka kërkuar ekstradimin dhe ka ngritur ndaj tij akuzat “drejtim të organizatës kriminale”, “vrasje”, “shkatërrim të pronës me zjarr”, “dhunim të varreve” dhe “vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, vepra të kryera gjatë viteve 1998-2002.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›