E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Votojmë kufizimin e imunitetit të deputetëve

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një interviste për “Top Channel”, u shpreh dje i gatshëm të bashkëpunojë me PD-në për draftin e saj për kufizimin e imunitetit të deputetëve. 

Sipas tij, imuniteti i deputetëve është pjesë e sistemit dhe reformës në drejtësi. “Kufizimi i imunitetit të deputetit është pjesë e një sistemi. Është filozofi e procesit, ne jemi për një reformë sistemike, ndërsa pala tjetër është për arna sistematike. Duke qenë e paaftë të kuptojë se në të gjitha këto fusha ne kemi nevojë për ndryshim rrënjësor dhe jo sipërfaqësor”, tha Rama.
Duke folur për reformën në drejtësi, kryetari socialist kërkoi një reformë cilësore, por dhe në koherencë me sistemin. “Ne jemi për një reformë cilësore në drejtësi për t’i dhënë fund gjuetisë së shtrigave dhe shantazhimi mbi gjyqësorin ka qenë në vijimësi i pranishëm”, tha Rama. Për herë të parë, kreu socialist rrëfen filozofinë e socialistëve se si duhet të bëhet reforma në Prokurori, duke i kërkuar Kryeministrit Berisha të bëjë publik draftin e përgatitur. “Kryeministri të zbardhë draftin e panjohur dhe t’i hapë udhë një debati publik, ku të përfshihen gjykatësit, prokurorët dhe përfaqësues të shoqërinë civile, në mënyrë që të mos bëhen arnime në funksion të interesave të pjesshme, por të realizojë një pavarësi më të madhe të Prokurorisë”, tha Rama. Sipas tij, “është e udhës që kjo reformë të jetë një reformë e integruar, që Shqipëria të ketë një ligj organik të sistemit të drejtësisë, ku të përfshihen të gjitha pjesët e tij, dhe që ky draft për Prokurorinë të jetë në koherencë të plotë me gjithë sistemin”. Kryetari i socialistëve shprehu qëndrimin e tij edhe sa i takon çështjes aq të debatuar të hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit. Rama tha se PS-ja nuk ka asnjë stepje për një veprim të tillë, përkundrazi është PD-ja ajo që i trembet të kaluarës së saj. “Më shumë se dy vjet më parë ne kemi hedhur një hap konkret, me një draft për pastrimin e figurave të politikanëve, të depozituar në Kuvend, dhe nga ana tjetër theksoj se edhe ky aspekt i ndarjes me të shkuarën nuk është një problem i PS-së, por është një problem i PD-së. Nuk do ishte keq që ata që flasin më shumë për këtë, duke filluar që nga spikerja e Parlamentit, të hapin dosjet e tyre dhe të bëjnë publik faktin se nuk kanë të bëjnë fare me këtë ligj apo me të kaluarën e tyre”, tha Rama. Por kreu socialist, larg detajeve teknike, shprehu dhe pozicionin politik të PS-së lidhur me reformën zgjedhore, e cila pritet të përfundojë shumë shpejt në Kuvend në Komisionin e posaçëm parlamentar. Sipas tij, Kodi i ri Zgjedhor duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Kodi zgjedhor duhet të jetë shprehje e kësaj filozofie, një reformë zgjedhore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, një sistem zgjedhor funksional, ku interesat e vendit dhe të njerëzve janë ato që udhëheqin të gjithë punën dhe rrugën e vendit tonë dhe jo interesat e një pale, të një grupi, apo të një individi”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›