E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet përkujtimi i viktimave në krater

Një përkujtimore përfunduar dje nga bashkia e Vorës, nxiton të cilësojë ngjarjen e një viti më parë, "Aksident Teknologjik"


Policia Ushtarake, lejon vetëm një pjesëtar të secilës familje të viktimave të hedhë lule apo të ndezë qiri në vendin e tragjedisë

E shtunë 14 mars 2009, ora 11:30.
Në duar shtrëngonin lulet e qirinjtë, në tentativën e tyre për të përkujtuar, të afërmit e tyre "të vdekur nga një aksident teknologjik",- thotë pllakati i përkujtimores së Bashkisë së Vorës i përfunduar po dje dhe i vendosur pranë fshatit Gërdec dhe Marqinet.

Thua vërtet mund ta konsideronin të tillë, këta njerëz shumë prej të cilëve, pastronin ndryshkun dhe barutin e predhave, që iu mori jetën.

Gjithçka ata e quajnë, por se vetëm një aksident teknologjik nuk mund të ishte. Më shumë se 50 vetë u mblodhën dje në postbllokun që ndërpret rrugëtimin drejt hijes së ish- fabrikës së çmontimit të municioneve.

Qëndronin përpara traut të postbllokut që nuk i lejonte të vizitonin fabrikën e çmontimit, barutit, fabrikën e gjakut, e flakës që pëqafoi qiellin, e fabrikës së vdekjes. Përballë, një efektiv i Policisë Ushtarake, qëndron pas një trau me mbishkrimin "Ndal zonë Ushtarake".

A thua se nuk qe e tillë edhe vitin e shkuar e për më tepër se një vit rresht, ku qindra vetë rropateshin të kapnin normën e pastrimit të fishekëve të predhave që rritej dita ditës në mënyrë galopante. Ndërsa rrëketë e lotëve kishin pushtuar faqet e tyre, pas tyre një polic ushtarak, nuk lëvizte qerpikun.

Dëshirë e tyre ish njerëzore dhe e thjeshtë: Të qëndronin pak momente pranë vendit, ku në të njëjtën ditë në të njëjtën orë vetëm se një vit më parë u bë varri i thellë i njerëzve të tyre.

"Të lutem, të lutem, të lutem....", thërrasin gratë. Thërrasin burrat, që nuk e përmbajnë dot veten nga lotët e dhimbja. T'i lutesh një ushtaraku të thyejë rregullat e detyrës së tij?! E pamundur.

Disa metra larg vendit ku 15 marsin e vitit të kaluar predhat flakëronin pas një shpërthimi duke shkaktuar vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 vetëve në Gërdec, një postbllok ushtarak ndalonte hyrjen e civilëve.

Nën traun që ishte vendosur për të penguar kalimin në zonën e rrezikshme, ishin 26 qirinj në nderim të po aq zemrave të djegura nga ai shpërthim.

Të gjallët, nuk mund të pranonin që, të nderonin bijtë e tyre pas një trau që u "kujtua" të vihej pasi u kishte shkaktuar atyre tragjedinë. "Ju lutem na lini të shkojmë pranë kraterit të hedhim lule në kujtim të njerëzve tanë".

Për më shumë se një orë familjarët u luteshin ushtarëve t'i lejonin të afroheshin pranë kraterit. Ndoshta humanizmi brenda rrobës së ushtarakut, ka detyruar këta të fundit të bëjnë një marrëveshje me familjarët e viktimave. "Do të lejohet të hyjë vetëm një pjesëtar nga çdo familje që përfaqësojnë viktimat.

Do të shoqërohen nga ushtarë sa të hedhin lulet sepse nuk duam të rrezikohen" ishte marrëveshje gati cinike për të gjallët, që edhe pse nuk iu shkonte aspak për shtat, të pafuqishëm për të kundërshtuar pranojnë që një prej të afërmëve të hedhë lule mbi vendin e aksidentit.


Revolta e familjeve

Pas më tepër se 40 minutave, marrëveshja e ofruar nga uniformat. u pranua nga familjarët e viktimave edhe pse ata nuk e dëshironin aspak këtë marrëveshje të imponuar dhe të çuditshme. Nëse për një viktimë kishin mbërritur në Gërdec në kujtim të tij për një vjetorin e vdekjes, e gjithë familja dhe të afërm të tij, vetëm një pjesëtar nga familjat kishte të drejtë të hidhte lule".


-Zona ka rrezik duam t'ju mbrojmë",- i përgjigjej ushtaraku nga ana tjetër e traut, familjarëve.


-Tani kujtoheni të na mbroni pas një viti. Para se të ndodhte tragjedia ku ishin trarët? Ku ishin ushtarët? Pse s'na mbrojtët?.

Por tani kujtoheni dhe as të nderojmë viktimat nuk na lejoni,- qe kundëpërgjigja revoltuese e familjeve përtej traut. Në fakt revolta e familjarëve përtypej drejtpërdrejt nga ushtarët të cilët në atë vend po kryenin detyrat që iu kishin caktuar drejtuesit e tyre. E megjithatë, pengesa e ushtarëve nuk do t'i ndalonte familjarët të kujtonin viktimat e 15 marsit të vitit 2008.

Nëna, baballarë që predhat i lanë pa djalë, pa vajzë, gruan pa burrë, fëmijët pa baba, motrën pa vëlla e vëllain pa motër, aty ishin mbledhur të gjithë të kujtonin 26 viktimat. Qirinjtë, e ndezura lulet e hedhura, lotët e derdhur ishin kujtimi i këtyre familjeve, njerëzve, që humbën aty, një pjesë të gjakut të tyre. Para syve të tyre, predhat flakët dhe trupat e copëtuar shfaqen po ashtu si një vit më parë.

E dhimbja për ta është e njëjtë edhe pas 365 ditëve. Ndoshta e tillë do të jetë për ta deri në grahmat e fundit të jetës së tyre.

Dhimbja tani është akoma më e rëndë, kur ende nuk ka asnjë dënim për shkaktarët e tragjedisë, apo kur përballen me situata të tilla teksa nisen për të kujtuar të dashurit e tyre dhe pengohen nga një tra.

Ata lanë pas traun, rrethimin, Një vit më pas ende nuk është pastruar zona përreth kraterit, duke përbërë ende rrezik, ndoshta përvjetorin e dytë, trau nuk do jetë as ushtarë nuk do ketë duke lënë të qetë familjarët të nderojnë viktimat.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›