Kryeqyteti i ballokumeve për një ditë
Mijëra njerëz nga e gjithë Shqipëria kanë udhëtuar drejt Elbasanit për të kremtuar festën tradicionale të ditës së verës mes karnavaleve dhe ballokumeve
Elbasani
ELBASAN- Qyteti i Elbasanit nuk e ka humbur as këtë vit harenë, gjallërimin dhe entusiazmin e festës së "Ditës së Verës. Edhe pse vite më parë ia "vodhën" këtë festë tradicionale duke e bërë festë kombëtare, mijëra njerëz nga Tirana, Durrësi, Korça, Shkodra, Fieri deri edhe nga Vlora kanë shkuar dje aty për tu gjendur në festën e ballokumeve.
Kjo ditë ka pasur gjithçka, ëmbëlsirat, karnavalet, bandën frymore, pije e sigurisht që nuk kish sesi të mungonin politikanët. Politikanë të të gjitha partive kanë vizituar dje qytetin e ballokumeve.
Mesdita ka sjellë në Elbasan edhe një grup të apasionuarish në motor-kros të cilët e kanë kthyer traditë qarkullimin në Elbasan në çdo 14 mars. Bulevardi është mbushur nga motorët e garave ndërsa drejtuesit e tyre ishin si shqiptarë ashtu edhe të huaj. Kjo shëtitje me rreth 30 motorë ka marrë vëmendjen e qytetarëve të cilët kanë vazhduar në bulevard deri pasdite vonë.
Kjo festë ka zgjatur gjatë gjithë ditës dhe familjet kanë preferuar të shpërndahen në periferi, në restorante por edhe në natyrë mes piknikut tradicional, mishit në skarë, ballokumeve dhe lojërave të fëmijëve.
Sheshe, stenda, dyqane kishin si ëmbëlsirë të parë ballokumen, ëmbëlsirën tradicionale të Ditës së Verës. Nga një përllogaritje e përafërt nga punishte e vogla por edhe nga amvisat janë arritur të prodhohen mbi 20 mijë ballokume. Një e tillë kushtonte nga 80 në 100 lekë dhe tregu ka qenë i tejmbushur me këto lloj ëmbëlsirash.
Blerësit kanë qenë kryesisht nga rrethet e tjera dhe nga zonat rurale pasi si tradicionalisht nënat elbasanase e gatuajnë vetë me shumë mund këtë ëmbëlsirë tekanjoze.
Në shesh janë vënë re edhe shumë të huaj, italianë, kinezë, francezë, shumë turq por edhe shtetas të tjerë të huaj që kanë dashur ta shijojnë këtë ditë mjaft të veçantë. Shumë prej tyre kanë porositur ëmbëlsira për t'i nisur drejt vendeve të largëta.
Kinezët e Radiostacionit kanë porositur ëmbëlsira për t'i çuar pranë familjeve të tyre në Kinë. Ndërsa misionarë italianë kanë vlerësuar bandën shqiptare, lumturinë e fëmijëve të karnavaleve dhe pasionin për këtë festë tradicionale.
Kriza ekonomike është pasqyruar edhe në kostumet e karnavaleve të shkollave pjesëmarrëse të cilat janë munduar nëpërmjet fabulave të përshtatin kostumet. Pjesëmarrja ka qenë e larmishme dhe konkurrenca e fortë.
Një komision i ngritur për këtë qëllim nga drejtoria e Arsimore në bashkëpunim me bashkinë do të vendosë fituesit brenda tre ditëve. Ajo çfarë ka bërë më shumë përshtypje këtë vit ka qenë shkolla "Jeronin De Rada".
Ndryshe nga kafshët, shtrigat apo edhe fabula të tjera të përrallave ajo kishte menduar të sillte efektin krizë. Kriza u duk Leku u zhduk, apo një dordolec të mbuluar me para ishin një pjesë e kostumeve të kësaj shkolle.
Historia e festës
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet më 14 mars.
Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tanimë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.
Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t'i dhënë force diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.
Tirana kërcen nën ritmet e rrokut
TIRANË- Dita e Verës është festuar dje edhe në kryeqytet ku mijëra njerëz kanë vërshuar në rrugë.
Festimet kanë nisur në Sheshin Skënderbej por kanë vazhduar edhe në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", sheshin "Nënë Tereza" si dhe zona e ish-Bllokut". Ndërkohë lulishtja "Skënderbeu" ajo e parku "Rinia" janë shndërruar në lulishte të fëmijëve .Nuk mungon aty muzika këngët dhe vallet popullore, por i pranishëm është dhe libri përmes projektit "Të lindur për të lexuar''.
Fundi i këtyre festimeve do të jetë ish-blloku. Pothuajse në çdo kryqëzim ishin ngritur mini-skena të vogla, pranë të cilave janë mbledhur qindra të rinj. Koncerti kryesor ka nisur rreth orës 20.00 dhe kryesisht është kënduar vetëm muzikë rrok.