E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, qytet i pastër, në fundvit do të mbillen 6 mijë pemë

Kryeqyteti, shumë i përfolur për ndotjen dhe shkallën e lartë të kontaminimit, ka bërë hapa përpara. Sipërfaqet e gjelbra janë shtuar, në projektet e fundvitit, Bashkia e Tiranës ka deklaruar se ka prioritet mbjelljen e 6 mijë pemëve, punësimin e 600 punonjësve të pastrimit të qytetit, si dhe blerjen e 120 makinerive larëse për qytetin. Këto pajisje do të jenë të cilësisë më të lartë se ekzistueset. Për sa i takon mjedisit, kryetari i bashkisë dje ka deklaruar se gjendja është përmirësuar ndjeshëm dhe për vitet në vazhdim synohet që Tirana të jetë qyteti më i pastër në të gjithë vendin.

Duke iu referuar fakteve, si dhe raporteve të institucioneve të ndryshme mjedisore ndërkombëtare, që kanë referuar mbi përmirësimin e ndjeshëm të mjedisit në Tiranë, kryetari i bashkisë, Edi Rama, ka dhënë shifra, të dhëna lidhur me faktorët që kanë ndikuar pozitivisht. Njëkohësisht, Rama ka renditur një listë me prioritete për mjedisin, shumica e të cilave do të zbatohen në fund të vitit 2008-të.

Mjedisi

"Duke iu referuar fakteve të pamohueshme, si dhe raporteve të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare mbi gjendjen e mjedisit, qeveria u detyrua, më në fund, të pranonte dje përmirësimin e ndjeshëm të pastërtisë e të cilësisë së ajrit në Tiranë", tha kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Sipas tij, ky rezultat lidhet me efektet e punës kolosale të Bashkisë së Tiranës, duke nisur nga viti 2000 për rritjen e përmasës së gjelbër të qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së pastrimit. "Fakti se sot në kryeqytet kemi 4.3 m2 gjelbërim për frymë, nga 3.1 që kishim tetë vjet me parë, është njëri ndër treguesit më kuptimplotë të kësaj pune, po jo i vetmi", theksoi kryebashkiaku. Ai referoi se Tiranës, gjatë këtyre viteve transformimi rrënjësor, i janë shtuar, 450 mijë m2 sipërfaqe të gjelbra, 19 mijë pemë dhe gjelbërim i ulët, 1283000 m2 asfalt, 440 mijë m2 trotuare.

Investimet

"Kanë përfunduar të gjitha akset kryesore rrugore prej 137 km.

Janë rehabilituar 220 hektarë blloqe banimi dhe 160 hektarë të tjerë brenda lagjeve, deri në skajet më periferike janë në proces rehabilitimi. Është vënë tërësisht nën kontroll mjedisor fusha e mbeturinave të Sharrës dhe është rritur dukshëm cilësia e pastrimit në Tiranë", theksoi Rama. Nga deklarata e dhënë dje, qytetarët e Tiranës duhet të gëzohen, sepse, sipas Ramës, këtë fundviti, kohë kur nis edhe stina e mbjelljeve, do të mbjellim 6 mijë pemë të reja, 3500 brenda në qytet dhe 2500 në Parkun e Liqenit, ku do nisë edhe projekti i madh i rehabilitimit të parkut, fillimisht me rrugët e brendshme, korsitë e biçikletave e të vrapuesve. "Do të fusim 120 makineri pastrimi më cilësore sesa ato që kanë punuar deri tani, dhe do të shtojmë 400 punëtorë në pastrim, si edhe do të rrisim fondin e punësimit në dobi të mjedisit. Objektivi ynë i shpallur një vit më parë se Tirana do të jetë në vitin 2011 qyteti më i pastër i Shqipërisë, do të realizohet përpara afatit që u kemi dhënë qytetarëve", përfundoi Rama.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›