E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vilen" me sëpatë ullishtat e Vrionit

Largimi i pronarëve të vërtetë të ullinjve, në disa zona të rajonit Sarandë, ka kurajuar disa grupe që të presin ullishtet me sëpata duke shkatërruar mjedisin dhe duke dëmtuar pronarët. Kështu ka ngjarë në një nga ullishtat buzë rrugës nacionale në Vrion të Delvinës. Duke kaluar në të,shqiptaro-amerikani Metat Idrizi ka parë gra e burra, deri dhe pleq e fëmijë, që,pasi kishin ndalur "Benz"-at në rrugën kryesore, kishin dalë me sëpata, thasë e karroca e u ishin sulur pemëve plot kokrra të ullinjve të mbetur pa zot, pas ikjes së pronarëve në emigracion. Shqiptaro-amerikani ka pasur edhe ndjeshmërinë dhe kurajën qytetare të telefonojë në polici dhe në vend të shkojë "Fordi" dhe uniformat blu të Delvinës.

Korridoret midis rreshtave të ullinjve ishin tërësisht të mbuluar nga degë, të cilave u ishin marrë kokrrat, pasi ishin shembur përtokë nga sëpata e njerëzve të organizuar për një krim ekonomik që nuk i bëhet pronarëve, por pasurisë kombëtare. Mbi ullinjtë shekullorë dhe ata të rinj ka rënë pa dallim sëpata e njerëzve klandestinë. Janë ata që, çdo vit, bëjnë vjeljen e tyre, në mungesë të pronarëve të mërguar, dhe askush nuk i ka ndalur. Ajo që ka shqetësuar dhe është për t‘u shqetësuar, është "vjelja me sëpatë", pasi vjelësit nuk mjaftohen me marrjen e kokrrave dhe kuintalëve të ullirit. Ka rezultuar se ata nuk preferojnë të ngjiten në pemë për t‘i vjelë ato, por gjejnë rrugën më të shkurtër e më të lehtë, që është njëherësh edhe më asgjësuese për pemën, atë të prerjes së degëve me sëpatë.

Kryeplaku i Vrionit, Jani Toto, i sinjalizuar për çfarë kishte ndodhur, ka mbetur i shokuar nga ajo që ka parë në parcelën e ullinjve të mbetur si cungje, pasi degët u gjendën përtokë. Polici i komunës së Finiqit, Mustafa Abazi, tha për "Shqip" se ky është një shqetësim i përvitshëm për këtë zonë, por asnjë vit nuk ka ndodhur si në këto ditë. Në parcelë janë parë të lëvizin e të largohen me vrap fëmijë, janë gjetur karroca me thasë, që prisnin të mbusheshin me ullinj, madje edhe pakoja e bukës së dikujt që është larguar për t‘i shpëtuar ndjekjes së policisë së rendit, që ka shkuar nga Delvina me të marrë sinjalizimin për asgjësimin e një prone, që nuk është lehtë të zëvendësohet. Patrulla e policisë ka gjetur me sëpatë në dorë dhe ka shoqëruar 80-vjeçarin Seit Hajdinaj, me banim në Metoq, të Sarandës. Ai "u shpjegua" para tyre se u ndodh në këtë parcelë, së bashku me sëpatën e tij, për të bërë ndonjë barrë dru dhe jo për të vjelë ullinj. I moshuari tha se "boll burg ka bërë nga regjimi i kaluar" dhe këtë është përpjekur ta provojë, duke i treguar policisë vërtetimin e dhënë nga shoqata e të përndjekurve në Tepelenë.

Vjelja e ullinjve me sëpatë ka nisur të bëhet njëlloj si në Vrion edhe në Komunën e Lukovës, sidomos në ullinjtë e Shkallës, mbi ullinjtë e borshiotëve, të lënë pa zot e të braktisur për shkak të largimit në emigracion.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›