E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e fondeve, deputetët e PD-së, të pakënaqur

Buxheti i shtetit gjithnjë nuk ka njohur ngjyrë politike për sa u përket interesave lokale të deputetëve të cilët shpeshherë dalin edhe kundër qeverisë së tyre kur bëhet fjalë për ndarjen e fondeve. Komisioni i Ligjeve kaloi dje në parim projektbuxhetin 2009 për fondet e pushtetit lokal, por pa përjashtim, të gjithë deputetët që morën fjalën, shprehën rezerva për ndarjen e fondeve në komunat apo bashkitë në të cilat ata janë zgjedhur. Pavarësisht rezervave, pesha e kartonit nuk ndryshoi dhe vota shkoi pro nga deputetët e mazhorancës dhe kundër nga opozita. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, ishte dje i pranishëm në Komision, ku u përball me pyetjet e deputetëve në lidhje me këtë projekt. Ai tha në fillim të fjalës së vet se fondet për pushtetin lokal janë ndarë në bazë të një formule me kritere të njëjta, pa paragjykime.

Por ky konstatim i numrit dy të Ministrisë së Financave nuk u pranua nga deputetët. “Nuk e kuptoj si ndahen këto fonde, pasi për shembull, Bashkia e Peqinit, e cila është bashki, ka vetëm 27 milionë lekë. E kuptoj që është diçka më shumë nga viti i kaluar, pasi ishin vetëm 22 milionë lekë, por ama shoh që Rrajca, komuna e Qukësit, ka 40 milionë lekë. Si mund të ketë një komunë më shumë se një bashki, e cila ka aktivitete kulturore, sport etj.”, - tha deputeti i PD-së, Dashnor Sula. Drejtori i Buxhetit për Pushtetin Lokal në Ministrinë e Financave shpjegoi se fondet janë ndarë në bazë të kapaciteteve të çdo njësie dhe nuk ka pasur privilegje. Konstatimi i deputetit Sula u mbështet nga ish-ministri i Pushtetit Lokal, Bashkim Fino, i cili tha se kjo formulë, e shpikur nga qeveria socialiste për fondet e pakushtëzuara, është transformuar dhe është përdorur politikisht. Ky konstatim nuk u pranua nga Ilir Rusmali. “Më fal, por Rrajca është socialiste dhe ka zgjedhur një deputet socialist. Si mund të thoni që fondet ndahen me kritere politike?”, - tha kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali.

Por në debat ndërhynë edhe deputetët e tjerë, të majtë edhe të djathtë. “Në Dibër, dy komuna që kanë të njëjtin territor, të njëjtin numër popullsie, madje me të njëjtat probleme, shoh një mosakordancë në dhënien e fondeve. Njëra ka 20 milionë lekë, ndërsa tjetra ka vetëm 8 milionë lekë. Nuk e kuptoj këtë formulën tuaj për ndarjen e fondeve”, - tha deputeti tjetër i PD-së nga kjo zonë, Sali Shehu. Zëvendësministri Shehu ndërhyri duke thënë se konstatimet nuk janë privilegje dhe nuk ka ndarje politike. “Fondet ndahen me anë të një formule të veçantë e cila ka për bazë territorin, numrin e popullsisë, rendimentin fiskal etj. Ndaj dhe fondet mund të duken si të mosbalancuara, por janë ndarë në bazë të kritereve të sakta”, - tha Sherefedin Shehu.

Deklarata e zëvendësministrit nuk u prit me entuziazëm dhe të gjithë deputetët që shfaqën shqetësime, kërkuan nga ministria një përgjigje me shkrim në lidhje me ndarjen e fondeve për zonat përkatëse lokale që ata përmendën. Deputetja demokrate, Arenca Trashani, iu lut përfaqësuesve të Ministrisë së Financave që “të financojnë rrugën industriale në Shkodër pasi për vitin 2009, është parashikuar vetëm ndërtimi i një rruge në këtë qytet”. Zëvendësministri Shehu tha se kjo rrugë është projekt i Ministrisë së Ekonomisë për sa i përket ndërtimit të zonës industriale në Shkodër, ku në ndërtim do të përfshihet edhe rruga.

Anëtarët e Komisionit shprehën rezerva të tjera. “Fondet janë ndarë në mënyrë krejt politike, pasi në zonën time elektorale shoh dy komuna të ngjashme me fonde krejt të ndryshe. Njëra ka 2 herë më shumë se tjetra dhe të vetmin ndryshim që ka, është kryekomunari i cili është i PD-së”, - tha deputeti i PS-së, Besnik Dervishi. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi, ndërhyri duke thënë se “ndryshimi i Kodit Elektoral prandaj u votua, që të zhduken këto paragjykime politike”. Edhe kryetari i komisionit, Rusmali, ngriti shqetësimin se në mjaft bashki, si në Përmet, ka popullsi të paregjistruar e cila nuk përfiton nga buxheti i shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›