E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i ujit të pijshëm do të njohë rritje



Administrimi i ujësjellësve nga pushteti lokal do të shoqërohet detyrimisht me një rritje çmimi të këtij produkti nga ana e tyre. Një gjë të tillë e konfirmoi dje në Komisionin e Ligjeve zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, i cili tha “se në buxhetin e pushtetit lokal kemi parashikuar një fond të veçantë për to, që në rast se rrisin çmimin e ujit, fondi do të përdoret për kompensimin e familjeve në nevojë”. Shehu tha se politika e rritjes së çmimit të këtij produkti duket se është e pashmangshme për shkak se uji i pijshëm shitet nën kosto. Ai tha se bordet e ujësjellësve, të cilët emërohen nga Këshilli Bashkiak dhe kryetari i ujësjellësit zgjidhet nga Bordi i Ujësjellësit, do të jenë të lirë në politikat e tyre të pavarura të administrimit. Shehu tha se fakti që qeveria u ka vendosur një fond të veçantë për kompensim, bordet e ujësjellësve do të jenë të lirë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, duke përmirësuar këto ndërmarrje, si dhe nga ana tjetër, kjo rritje nuk do të prekë shtresat në nevojë, pasi do të kompensohen financiarisht nga shteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›