OSBE: Kodi të zbatohet në praktikë
Prania e OSBE-së në vendin tonë, tanimë që Kodi Zgjedhor është miratuar në Parlament, kërkon zbatimin e tij. Në një njoftim për shtyp të OSBE-së në Tiranë, thuhet se tani që ligji u miratua me një shumicë të gjerë, duhet që e gjithë politika të përqendrohet tek zbatimi i tij. Duket se përcaktimi se ligji është miratuar me shumicë të gjerë është një sinjal i mirë për dy partitë e mëdha në vend se kanë marrë vendimin e duhur. “Kodi Zgjedhor është aprovuar nga Kuvendi me një shumicë të gjerë, ka ardhur koha të përqendrohemi në zbatimin praktik të Kodit, në mënyrë që të sigurohet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitin tjetër të zhvillohen në përputhje me angazhimet ndërkombëtare”, - thuhet në këtë njoftim. Në këtë mënyrë, duket se dy partitë e mëdha e kanë marrë “bekimin” nga ndërkombëtarët e mbi të gjitha, nga institucioni më i specializuar në të gjithë botën për përgatitjen e zgjedhjeve. Njëkohësisht, OSBE-ja i ka dhënë fund edhe kaosit politik që u krijua tri ditë më parë për shkak të deklaratave të ndryshme të ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosh, lidhur me grevën e urisë së dhjetë deputetëve dhe miratimin e një kodi të ri zgjedhor që u kontestua nga gjashtë parti parlamentare, tri prej të cilave hynë në grevë në sallën e Parlamentit. Në deklaratën e parë dhënë para kamerave, Boshi la të kuptohej se ishin dy partitë e mëdha ato që po gabonin me qëndrimin e tyre kundrejt kontestuesve të Kodit të ri Zgjedhor. Kjo ngjalli shpresa mes të vegjëlve, por një njoftim për shtyp i nisur nga zyra e shtypit të OSBE-së ndryshoi mjaft gjërat. Me një gjuhë më të zbutur dhe mjaft diplomatike kërkohej zgjidhje me dialog, por pa presion politik.
“Prania e OSBE-së qëndron e gatshme të ndihmojë në zbatimin e Kodit”, - tha ambasadori Bosh.
“Prania e OSBE-së qëndron e gatshme të ndihmojë në zbatimin e Kodit”, - tha ambasadori Bosh.