Ndarja e posteve, Godo: Mediu më mënjanoi, PR meriton më shumë
Përfshirja e Mediut në qeveri sjell përçarjen e parë publike mes kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo dhe Fatmir Mediut
TIRANË - Ndarja e posteve për PR-në në qeverinë e re Berisha-Meta, ka sjellë për herë të parë përçarjen mes dy figurave kryesore të PR-së, Sabri Godo dhe Fatmir Mediu. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", kryetari i Asamblesë Republikane, Sabri Godo, thekson se është ndjerë i mënjanuar nga negociatat mes PR-së dhe PD-së për qeverinë e re.
Godo evidenton gjithashtu faktin se ai nuk u pyet nga kryesia si anëtar i saj dhe, për pasojë, nuk mori dot pjesë në mbledhjen e kryesisë, për të pranuar ose jo propozimin e Berishës, që Partia Republikane të drejtojë Ministrinë e Mjedisit, në krye të së cilës do të jetë ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Godo vë në dukje gjithashtu se Partia Republikane duhet të merrte një post ministror të rëndësishëm dhe jo vetëm Ministrinë e Mjedisit.
Madje, Godo pretendon se Partia Republikane duhet të kishte tre zëvendësministra dhe poste drejtorësh në qeverinë e re, duke e justifikuar me faktin se PR-ja ka dhënë kontributin e saj në koalicionin fitues.
Z. Godo, si e vlerësoni marrëveshjen midis PD-së dhe LSI-së për bashkëqeverisje?
E kam thënë që në fillim që kjo ishte zgjidhja më e mirë, e diktuar nga koha.
Sa efektive mendoni se do të jetë kjo qeveri?
Unë besoj se do ta çojë mandatin deri në fund, mendoj se këtu bashkohen interesat e dy palëve për të pasur një vijimësi dhe bashkëpunim.
A ndjeheni të mënjanuar nga ndarja e posteve ministrore?
Unë besoj se po. Ne kemi dhënë një kontribut të mirë dhe, si parti, praktikisht, me përqindjen e votave që morën jemi partia e katërt. Ne duhet të merrnim një ministri me peshë në jetën e vendit. Tani negociatat janë shumë të vështira, sepse PD-së iu bënë shumë partnerë, si LSI-ja dhe partia e çamëve, mund të ketë zgjerime të tjera.
Ju si parti keni marrë Ministrinë e Mjedisit, e pranoni këtë dikaster apo jo?
Unë nuk kam marrë pjesë në negociata. Kam mbetur i mënjanuar, për arsye që për mua janë të pashpjegueshme dhe për këtë arsye nuk mora pjesë në mbledhjen e kryesisë. Zhvillimi i këtyre negociatave pa më vënë në dijeni, ka qenë një gjë e pakuptueshme për mua.
Dje pasdite (pardje) u lajmërova për mbledhjen e Kryesisë së Partisë Republikane, dhe nuk mund të shkoja në këtë mbledhje për të dhënë votën time për gjëra që nuk jam pyetur. Dua të sqaroj pozicionim tim në parti, sepse shpesh në masmedia më bëhen cilësime të ndryshme.
Unë jam kryetar i Asamblesë Kombëtare dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Republikane, dhe me statut më takon vendi i dytë në parti. Si i tillë, duhet të isha konsultuar dhe pyetur që në fillim dhe gjatë kohës së negociatave dhe kjo më habiti. Prandaj nuk mora pjesë në këtë mbledhje të fundit të kryesisë, ku thuhet se është votuar me unanimitet.
Megjithatë, unë jam një njeri që u përmbahem fort parimeve të demokracisë. Një vendim që merret në forume, qoftë edhe me një votë më tepër, bëhet i detyrueshëm për të gjithë.
Në kryesinë e Partisë Republikane, përveçse është vendosur që Fatmir Mediu të marrë postin e Ministrisë së Mjedisit, është kërkuar gjithashtu edhe për dy zëvendësministra. Si ju duket kjo ndarje?
Ne i kemi dy zëvendësministra në qeverinë aktuale, dhe nuk ka pse të kemi më pak në qeverinë e ardhshme. Unë do të kërkoja tre zëvendësministra dhe disa poste drejtorësh, pasi na takon në bazë të kontributit që kemi dhënë.
A është e moralshme që zoti Mediu të jetë sërish ministër?
Për mua zoti Mediu nuk ka asnjë përgjegjësi penale dhe kam bindjen për këtë. Megjithatë, do të shikojmë se si do të ecë procesi. Gjykata është i vetmi institucion, që mund të japë pafajësinë. Partia Republikane gjykon se zoti Mediu mund ta përfaqësojë në qeveri, dhe meqë u mor një vendim, unë u nënshtrohem vendimeve të forumeve.
------------------------------------------------
Pas pakënaqësisë së Sabri Godos, reagon nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali
Alibali: Godo mandatoi Mediun për negociata
TIRANË - Pakënaqësia e parë publike e Sabri Godos ndaj strukturave zyrtare të Partisë Republikanë, ka sjellë edhe reagimin e nënkryetarit të kësaj partie, Neritan Alibali.
Në një konferencë për shtyp, Alibali deklaroi se Sabri Godo ishte ftuar të merrte pjesë, por ai nuk u paraqit.
Sipas tij, presidenti i Asamblesë Kombëtare është ftuar për të dhënë votën e tij në kryesi, për të miratuar ose jo Fatmir Mediun si ministër të Mjedisit. Lidhur me denoncimin e bërë nga Sabri Godo, se përfaqësimi i Partisë Republikane në qeveri është bërë në mënyrë të fshehtë ndërmjet Mediut dhe Berishës, Alibali theksoi se negociatat janë zhvilluar nën mandatin e propozuar dhe të marrë nga vetë zoti Godo.
Nënkryetari i PR-së sqaroi gjithashtu se vendimmarrja është marrë nga kryesia e vogël, e cila në bazë të statutit ka të drejtën e marrjes së vendimeve politike. Ndërsa Komiteti Drejtues, apo kryesia e madhe, ku merr pjesë edhe Anila Godo, aktualisht ministre e Shëndetësisë, luan thjesht rol këshillimor.
"Kjo kryesi është vendimmarrëse dhe merr vendime në periudhën mes dy asambleve dhe ka një komitet drejtues, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të tjerë, si nënkryetarët e asamblesë kombëtare, kryetarët e degëve më të rëndësishme të Shqipërisë. Kemi të bëjmë me këshillim dhe jo vendimmarrje.
Eshtë keqkuptuar logjika e kryesisë se madhe dhe kryesisë së vogël",- sqaroi ai. Ndërkaq, ai mohoi mundësinë e një çarjeje në gjirin e kësaj force politike, duke theksuar se bashkëpunimi mes Godos e Mediut do të vijojë normalisht.
Megjithatë, deklarata e Sabri Godos, dhënë për gazetën "Shekulli", lë vend për dyshime në lidhje me bashkëpunimin e mëtejshëm mes tij dhe Fatmir Mediut. Nisur nga rrethanat e krijuara brenda Partisë Republikane, skema e përfaqësimit të saj në qeverinë e re, nxjerr jashtë loje ministren aktuale të Shëndetësisë, Anila Godon, e cila është edhe vajza e presidentit të nderit të PR-së.
Me gjithë zërat kundër në parti, përfshi edhe atë të Sabri Godos, në mbledhjen e vogël të kryesisë së PR-së u vendos që ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të jetë sërish në kabinetin qeveritar, por kësaj radhe si ministër i Mjedisit.