E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama vendos, 3 ditë protestë në Tiranë

Kreu i PS-së, Edi Rama, ka vendosur më në fund që ta bëjë realitet projektin e protestës me çadra, por ndryshe nga sa ishte përgatitur, protesta maratonë do të zgjasë vetëm 3 ditë. Ndërkaq, deputetë të afërt të tij ishin shprehur se PS do të protestonte non stop para Kryeministrisë në një afat të pacaktuar deri në shembjen e qeverisë ose plotësimin e kushteve. Në një darkë me deputetët e PS-së dje në qytetin e Fierit është vendosur që protesta e 20 nëntorit në kryeqytet të zgjasë dhe dy ditë të tjera, por jo më shumë. Me këtë rast janë marrë dhe masat paraprake për të siguruar hotele për disa protestues që vijnë nga rrethet dhe sigurisht mjeti tjetër më i përshtatshëm është zgjedhur çadra e kampingut. Sipas bisedës së konsumuar në këtë darkë socialistësh, protesta do të vazhdojë pranë Kryeministrisë në ditët në vazhdim pas tubimit në sheshin “Skënderbej” që do të mbahet mbrëmjen e datës 20 dhe ku PS pretendon dhe po punon që të sjellë sa më shumë njerëz. Por heqja dorë nga një qëndrim pa limit para Kryeministrisë duket se është një vendim i marrë në minutat e fundit pas këshillave se kjo nuk do të çonte askund, përveçse do të fuste në një qorrsokak aksionin politik të opozitës. Duket se dhe me këtë lëvizje do t’i japë fund protestave të nisura me një miting aspak premtues në Tiranë dhe më pas në disa rrethe të vendit, ku gjithashtu nuk u shfaq ndonjë entuziazëm në pjesëmarrje. Dje Rama ndodhej në Fier në mitingun e radhës, ku kërkoi zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi dhe foli për rrëzimin e qeverisë.

Por, dje u vu re vazhdimësia e sulmeve të PS-së ndaj LSI-së, siç ndodhte rëndom para zgjedhjeve. Kështu, kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, ka deklaruar largimin nga LSI-ja dhe është bashkuar me PS-në. Ai tha: “Pozicioni im është shumë komod, të jem në krah të qeverisë, por jam i bindur se e drejta e qytetarëve është cenuar, është cenuar themeli i demokracisë dhe ndershmërisë, vota e lirë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›