Ndarja nuk mund të diskutohet
Përfaqësuesi i BE’së për veriun e Kosovës, Michael Giffoni, ka thënë se idetë për ndarje, copëtim, shkëmbim territoresh, ndryshim kufijsh apo rivizatim hartash në Ballkan, në këtë moment nuk mund të jenë në agjendë.
Ai ka deklaruar për Radio Kosovën se në veri nuk është e rëndësishme forca autoritative, por dialogu i ndërsjellë.
“Është e qartë çështja e BE’së dhe gjithë institucioneve të saj atje. Për ne të vetmet institucione legale me të cilat bashkëpunojmë janë institucionet e Kosovës. Sa i përket strukturave paralele nuk mund të them nëse ato janë më shumë apo më pak të fuqishme se më parë. Çfarë mund të them është se, në shumë çështje të BE’së siç është p.sh. regjistrimi i popullsisë, që pritet të fillojë këto ditë atje, ne mund të flasim për gjëra që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së njerëzve".
"Ne dëshirojmë që komuniteti lokal atje të kuptoj që angazhimi i BE’së për sundimin e ligjit nuk është vetëm EULEX’i, por të gjitha institucionet e saj”, ka thënë Giffoni.