E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezatimet, kontroll klinikave të fshehura në pallate

22/04/2009   Sanksionet për abuzuesit deri në mbyllje të aktivitetit

Grupe të posaçme kanë iniciuar dje inspektimin e të gjitha klinikave në kryeqytet

Alarmi i hedhur pak kohë më parë për ekzistencën e dhjetëra subjekteve private që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa pasur një licencë, ka bërë që Autoriteti Rajonal Shëndetësor të shtojë kontrollet kundrejt tyre. Duke filluar nga mëngjesi i ditës së djeshme, grupe të posaçme kontrolli do të vijojnë inspektimin e klinikave private, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në afërsi të ambienteve të banuara, veçanërisht ato që ofrojnë shërbime imazherike duke përdorur rrezatimet. Situata mbetet problematike, pasi pjesa dërrmuese e këtyre klinikave janë të ngritura në katet e pallateve dhe përdorimi i rrezatimeve për qëllime të ndryshme duke mos plotësuar kriteret mund të bëhet rrezik serioz jo vetëm për pacientët, por dhe për banorët që ndodhen në këto zona. Për të gjitha subjektet mjekësore që ushtrojnë aktivitetet e tyre në kate të ndryshme të pallateve në Tiranë, do të verifikohet i gjithë dokumentacioni, nga licencimi e deri te kontrollet për rrezatimet.

Kontrollet

Tashmë janë ngritur dhe grupet e inspektimit, që sipas një plani të caktuar do të ushtrojnë kontrollet për këto klinika abuzuese, të cilat do të ndëshkohen jo vetëm me gjobë, por edhe me mbyllje të aktivitetit, nëse do të rezultojnë probleme. "Së pari, ne do të verifikojmë të gjithë dokumentacionin e tyre, nëse ai është në përputhje të plotë me legjislacionin, me kriteret dhe me standardet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë apo jo. Së dyti, do të verifikojmë të gjitha klinikat private që ofrojnë shërbime të ndryshme, sidomos ato në fushën e imazherisë, nëse përmbushin standardet për sa i përket problemit të rrezatimit", - ka deklaruar kreu i ASGR-së Mëhill Gecaj. Ndërkaq nuk mohohet fakti se janë ende të shumta klinikat që ushtrojnë aktivitet në hije, të fshehura nëpër katet e pallateve. Konkretisht është pohuar zyrtarisht se jo pak, por rreth një e treta e klinikave dentare në kryeqytet punojnë pa marrë më parë licencën, por evidentimi i tyre është tepër i vështirë. Po kështu ndodh edhe me klinikat e shërbimeve të tjera shëndetësore, të cilat jo në pak raste vënë në rrezik jetën e pacientëve. Shumë prej klinikave jo vetëm nuk sigurojnë mbrojtjen e duhur në veshje mbrojtëse ndaj punonjësve të tyre, por të njëjtin qëndrim kanë edhe ndaj pacientëve. Ky problem është evident edhe pranë institucioneve publike shëndetësore.

Ndëshkimet

"Në rast se nuk i plotësojnë standardet, ligji shprehet qartë se si duhet të veprohet. Pra, është e shprehur qoftë me masa gjobash, qoftë me mbyllje të klinikës”, - pohon Gecaj. Ndërkohë kontrolli do të shtrihet edhe në subjektet e licencuara për të riparë se sa garantohet mbrojtja e shëndetit të pacientëve nga rrezatimet nëpërmjet veshjes me materialet e duhura. Bazuar në ligjin e rishikuar gjatë vitit të kaluar, është përcaktuar se gjobat me të cilat do të ndëshkohen subjektet abuzuese janë rritur. Kështu, për çdo shkelje subjektet apo individët që operojnë në këtë fushë do të përballen me masën e gjobës 100 deri në 300 mijë lekë të reja.

Rreziku nga rrezatimet

Specialistët e mjekësisë pohojnë se dëmtimet që vijnë prej rrezatimeve janë tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve. Konkretisht, thuhet se janë të shumta sëmundjet kancerogjene që zbulohen çdo vit te kategori të caktuara pacientësh, zanafilla e të cilëve mund të vijë prej rrezatimeve jonizuese të aparaturave mjekësore, këto të fundit mund të çojnë deri në pasoja fatale për jetën e pacienit. Pranie e këtyre rrezeve të dëmshme gjendet veçanërisht në aparaturat ku kryhen ekzaminimet e sëmundjeve të rënda, si skopi, panormeks, skaner, rezonancë, kimioterapitë e lloje të tjera. Njëkohësisht ligji, tashmë i ndryshuar, përcakton se subjekt i dispozitave ligjore janë dhe kompanitë që merren me riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve rrezatuese dhe kompani që do të kryejnë kontrollin teknik, ekspertizën teknike të pajisjeve dhe burimeve të rrezatimit jonizuese. Kjo do të thotë se këto të fundit do të ndëshkohen njëlloj si subjektet private që nuk respektojnë kriteret e përcaktuara në ligj, duke ofruar shërbime të pasigurta për pacientët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›