E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja tek rruga bashkuese

Nuk ka asnjë dyshim se rruga më e rëndësishme e hapësirës shqiptare, pra ajo që tashmë është bërë e famshme, Durrës-Morinë, e vetmja që dimensionon, si kurrë ndonjëherë më parë, ndërkomunikimin kombëtar, është "ndëshkuese" financiare për buxhetin e katër vjetëve të ardhëm të shtetit shqiptar.

Ky "ndëshkim" nuk është një fatkeqësi, por një vetëzgjedhje politike, e cila ka për destinacion një triumf krenarie. Bëhet fjalë për një vepër, të realizuar si sfidë ndaj gjithë historisë së shkuar dhe, pse jo edhe për historinë e 30-40 viteve në pritje. Partia Demokratike dhe qeveria e saj që, jo vetëm e bëri fakt të kryer këtë vepër, por mori përsipër edhe koston e efekteve financiare që ajo do të ketë (sidomos në katër vitet e ardhme), do ta përdorë këtë arritje, si një argument për më shumë se tri mandate të ardhme, pavarësisht se në ç‘pozicion do të jetë ajo, në pozitë apo në pushtet.

Përballë këtij realizimi vizionar, socialistët dhe pjesa mbështetëse e tyre në opozitën e deri 28 qershorit, do të jenë avokatët e argumentit nikoqir, pra të përdorimit të buxhetit dhe politikës kredituese në disfavor të interesit ditor të qytetarëve. Të majtët kanë paraqitur ndërkohë arsyet dhe argumentet se ky investim i përqëndruar ka varfëruar përkohësisht financat publike, ka bllokuar dhe zvogëluar investimet që mund të sjellin vënien në punë të kompanive të biznesit kombëtar, të shpërndarjes së buxhetit tek shumë duar dhe tek mosasfiksia financiare, e cila duket se po troket edhe për arsyen themelore të rëndesës së krizës globale, përmes efekteve të saj të pashmangshme.

Në një optikë pragmatiste, fondet e shpenzuara si dhe kreditë e marra prej qeverisë "Berisha" për segmentin e rrugës Rrëshen-Kalimash, janë akti më asfiksues për investimet dhe buxhetin e investimeve në tërësi. Përballë këtij argumenti logjik opozitar, qeveria do të ishte mirë të zgjidhte jo reagimin e së pozicionuarës si më kombëtare, por si një administrator që në nismën e vet ka edhe logjikën e vizionares dhe të mirëllogaritjes.

Në polemikën e deritanishme politike mes pozitës dhe opozitës ka dominuar vetëm dasia klasike si antikombëtare dhe kombëtare. Kjo polemikë prej muajsh ka shkuar deri në kumtin e të përdorurit demagogjik. Eshtë e vjetër tashmë shprehja me vend e Konicës, se "peshore e kombëtarizmit nuk mund të jetë demagogjia". Në pushtetshkëmbimin e tyre, të djathtët e këtij 19-vjeçari shqiptar dhe gjithashtu edhe të majtët e deritanishëm, kanë ditur mirëfilli të përfitojnë prej atdhetarizmit deklamativ. Të dyja palët kanë dëshmuar dhe na e kanë shitur se zgjerimi "de fakto" dhe mohimi "de jure" e prezencës së minoritetit grek edhe në vise, ku prej qindra vjetësh nuk kanë figuruar, ka qenë një akt i kombësishitjes. Faturën e kësaj përgjegjësie, të dyja palët e kanë fshehur dhe e kanë humbur, pavarësisht prej arshivimit të aktit. Kjo gjë ndodhi edhe në rastin më të fundit me shenjimin përfundimtar të marrëveshjes për "kufizimin e shelfit kontinental".

Atdhetarizmi i politikanëve mbetet historikisht i dyshuar dhe i konstestuar prej palëve të ndryshme, dhe sidomos prej kundërshtarëve politikë të tyre. Kjo është e vjetër sa politika. Mirëpo, koha që rrjedh dhe dëshmia që i shtohet apo zbardhet historisë së lënë, janë të pakontestueshme dhe përbëjnë realisht të vërtetën që zbulohet pas momentit të protagonizmit dhe lojës. Në kohët e ardhme do të zbardhet se deri ku qëndrojnë ankesat e opozitës së Edi Ramës për koston dhe rëndesën e saj për disa vjet dhe sa triumfuese do të jetë largpamësia realizuese e Sali Berishës, në lidhje me këtë segment të afërisë dhe shkëmbimit gjithëkombëtar. Në verifikimin e kësaj së vërtete, Berisha, në vitet e ardhme do të ndihet në provën e së thënës së politikanit francez Eduard Baladyr, te "Makiaveli në demokraci": "Nuk qeveriset në mënyrë të pafajshme. Po ashtu, nuk qeveriset në mënyrë të pandëshkueshme. Ushtrimi i pushtetit lë gjurmë". Pikërisht largpamësia në lidhje me rrugën e Berishës do të bashkëshoqërohet nga "gjurma e lënë". E kemi fjalën për gjurmën e kostos dhe ngadaltësisë së përkohshme, ose siç thonë opozitarët e sotëm, nga asfiksia financiare që imponoi ky investim i menjëhershëm apo "me aksion."

Ndërkohë që kundërshtari dhe rivali politik i tij, Edi Rama, u drejtohet qytetarëve në ditët e fushatës me shprehjen: "Kjo është një lojë që 18 vjet e luajnë ata dhe e paguani ju". Natyrisht që kryesocialisti i vetëpërcaktuar si lider i domenit elektoral "matanë së djathtës dhe së majtës" e përdor këtë përcaktim si denoncim të vetin për premtimet që politikani i 19 viteve Berisha, u bën për një mandat të dytë, qytetarëve të vendit.

Investimi i kësaj rruge dhe gjithë financimi i saj, i cili u përdor si një ‘cazus‘ i fortë akuzash për korrupsion dhe abuzim prej një ministri dhe Kryeministrit Berisha, pas datës 29 qershor, do të përdoren dhe trajtohen krejt më ndryshe se në periudhën e tanishme.

Leverdia e shfrytëzimi i menjëhershëm i kësaj rruge do të sjellin në mediumet tona, por edhe në polemikën mes palëve, pavarësisht se në ç‘pozicion do të ndodhen ato, një tjetër diskutim, e natyrisht edhe një mentalitet të ri. Shumëkush do të bindet se "rruga bashkuese erdhi përmes një ndëshkimi të përkohshëm". Natyrisht, përmes një ndëshkimi të përkohshëm për qytetarët e Shqipërisë administrative. Gjurmët e pasojës në buxhetin e saj do të jenë të freskëta së paku për 5 vjet të ardhshëm, ndërsa sipas specialistëve, do të konsiderohen të dhimbshme, sidomos për buxhetin shtetëror të mandatit të ri, qoftë ai i dyti për demokratët, qoftë i pari për socialistët dhe "matanistët" pranë tyre. Në këtë dhimbje, një palë e politikës do të ndihet si heroinë e suksesit dhe pala tjetër si idhulltare e së thënës: "Veprat e mëdha mund të bëhen edhe pa dhimbje të tilla".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›