Ndërgjegja e García Lorcës
Fuqizimi i difuzionit dhe i njohjes së kulturës dhe letërsisë spanjolle në Shqipëri duket se është një nga objektivat më strategjikë të Ambasadës së Spanjës, duke e sjellë këtëedhe si qasje me kulturën shqiptare. Autori i prezantuar një natë më parë në Shkodër është Federíco García Lorca. Një nga veprat e tij më të famshme “Shtëpia e Bernarda Albës” është ngjitur mbrëmë në teatrin “Migjeni” Shkodrës, me regji të Alma Hotit. Do ishte e vështirë të imagjinohej një përfaqësues më i mirë i letrave spanjolle në skenat shqiptare se sa Federíco García Lorca, pa dyshim, poeti dhe dramaturgu spanjoll më i njohur botërisht i shekullit XX. Ndërgjegja e tij shoqërore dhe pozicionet e tij antifashiste e bënë viktimë fatale të Luftës Civile Spanjolle, pasi vdiq i pushkatuar në Granada me 1936. Teatri i tij, së bashku me atë të Valle – Inclán, është më personali, brilanti dhe popullori i shkruar në gjuhën spanjolle gjatë shekullit të kaluar; një teatër i mbushur me simbole dhe personazhe lirikë, por plot sens të thellë të forcës së natyrës dhe jetës. Karakteristika që mund të vlerësohen në “Shtëpia e Bernarda Albës”, e shkruar në 1936, pak ditë para se autori të arrestohej, dhe që është maja e veprës së vërtetë të García Lorca me të cilën teatri i tij arrin kulmin.
Kjo vepër u dha premierë në Tiranë me 11 tetor me rastin e Festës Kombëtare të Spanjës, 25 vjet pas inskenimit të saj të fundit. Me këtë rast TV Shkodra, TV Rozafa dhe Antena Nord do të ritransmetojne dramën. Pasi ka mbetur e ve për herë të dytë Bernarda Alba vendos të mbajë një zi të rreptë, ajo dhe vajzat e saj. Do ta vendosë këtë gjë me një tirani të egër. Por gjithçka komplikohet kur vajza e madhe tërheq një pretendent, Pepe Romani, i cili mbjell në shtëpi xhelozi e pasione.
Vetë García Lorca e kualifikoi veprën si “drama e grave të fshatrave të Spanjës”, tragjedi që shfaqet me një forcë të pakalueshme: një ambient i mbyllur, mbytës, zija e detyruar nga zonja dhe ndalimi për të dalë nga shtëpia përfundojnë në një fatalitet. Për të gjithë këto, kjo veper, në të cilën nuk duket as edhe një personazh mashkullor, nënkupton një qëndrim në favor të lirisë mbi të gjitha konvencionet shoqërore.
Vënia në skenë do të kryhet nga regjizorja Alma Hoti duke angazhuar disa nga aktoret e reja të teatrit si: Armela Demaj (Bernarda Alba), Elona Hyseni (Poncia), Esmeralda Metka (Adela), Marsela Lena (Martirio), Gladiola Harizi (Angustias), Klodiana Keco (Magdalena), Anisa Dervishi (Amelia), Denalda Teli (sherbyesja), Jonida Cunga (Prudencia) dhe Adriana Tolka (María Josefa).