E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja shqiptare e një gruaje

Në gjysmerrësirën e sallës së Teatrit Kombëtar, "Gli Uomini" (Burrat) e Giana Naninit është si një paralajmërim. Çka vjen më pas do të flasë për burrat. Burrat të parë në syrin e një femre. Një këngë e zgjedhur për subjektin e Eduardo De Filippos, ndoshta për të bërë edhe një paralelizëm për ditët e sotme. Kështu nis "Filumena Marturano" premierën e saj të parë në shqip. Regjisori Albert Minga ngacmoi personazhet e De Filippos, të lindur nga mjedisi borgjez italian i viteve 1950. Përpara pasqyrës, teksa i gëzohet mendjes së saj dinake që detyroi Domeniko Sorianon të lidhte kurorë pas 25 vjetësh, ajo fillon të shpërfaqet. Çjerrjet e tij, atij borgjezit që çdo gjë e ka arritur me para, as që do t‘i dëgjojë. Edhe pse ai, Don Domeniko ia kujton me forcë shtëpinë me drita të kuqe, se ajo nuk i shpëtonte dot emërtimit të një ish-prostitute, kjo nuk e prek fare atë. Ka një qëllim të vetëm. T‘i vjedhë mbiemrin. Ajo, Filumena Marturano e ka dashuruar atë. Edhe atëherë kur pas qejfit të shtratit ai i linte kartëmonedhën. Duroi 25 vjet dhe ai, borgjezi Don Domeniko nuk pranonte ende ta njihte si grua. Bëri pakt me veten, vetëm atëherë kur mendoi se ajo ishte buzë varrit dhe prifti i sugjeroi kurorën. Tërbimi i tij lidhet me paranë. Ai ka frikë t‘i humbasë. Por ajo nuk lufton për to. Edhe pse ai sillte në shtëpi shami me buzëkuq e s‘dinte ku i flakte, edhe pse puthej e përkëdhelej me Djanën në cep të krevatit të tyre ajo e kishte duruar. Filumena Marturano kishte qëllimet e saj. T‘u jepte një mbiemër tre fëmijëve që i kishte lindur e rritur në fshehtësi të plotë. Tashmë ata ishin burra. Njëri hidraulik, i martuar me katër fëmijë, njëri kishte një dyqan të vetin e tjetri kishte prirje se mund të bëhej një shkrimtar i ardhshëm. Vetëm njëri është i Domeniko Sorianos. E vërteta e fshehur prej vitesh e tërbon. Do me çdo kusht të mësojë se kush është i biri. Por Filumena nuk pranon. Për të "fëmijët janë të gjithë njësoj". Këmbënguljen e saj prej gruaje e çon deri në fund, deri atje sa Domeniko Soriano e pranon në një martesë të vërtetë bashkë me fëmijët e saj. Me këtë personazh Eduardo de Filippo i dha kryerolin motrës së tij, Titinës, ndërsa për vite me radhë deri më sot, në skena të ndryshe teatrosh të botës, Filumena Marturano u kthye në një sfidë autoriale. Në premierën e parë në gjuhën shqipe, regjisori Minga ia besoi këtë rol Yllka Mujos. Bashkëpunimi i mëparshëm me aktoren në pjesën "Pamje nga ura" të Millerit duket se ia lehtësoi zgjedhjen. Për Mujon, karaktere të tilla janë punuar edhe më parë. Gra të forta, të rrethuara nga burra që e shohin si mjet, apo edhe ish-prostituta. Yllka Mujo përcjell një karakter të akullt, fjalët e së cilës, të skalitura nga De Filippo prekin në raport me parimin e të qenit grua, bashkëshorte e sidomos nënë. Gjatë gjithë interpretimit Mujo u kujdes që edhe së jashtmi të ruante krenarinë e kësaj gruaje, mjetet e së cilës justifikojnë qëllimin. Në krah të saj, Bujar Asqeriu është Domeniko Soriano. Një karakter që shkon edhe deri në shpërthime apo shpërfytyrime, të cilat Asqeriu arriti t‘i përcjellë. Si pasojë e tekstit, ndërveprimet mes të dyve, por edhe personazheve të tretë, shkojnë sa në komike, diku edhe në sarkazëm. Publiku, i cili tashmë e ka dëshmuar adhurimin ndaj komedisë, nuk ngurron edhe të nxjerrë zë, ndonëse në një sallë të ftohtë në këto ditë dimri. Rozalia, kujdestarja është një tjetër personazh që motivon zhvillimin e pjesës. Interpretuar nga aktorja e njohur, Tinka Kurti, personazhi i saj shpërfaqet në tërë karakterin e saj. Korpusit të personazheve i shtohet Alfredo Amorozo interpretuar nga Vangjel Toçe, besniku i Don Sorianos, i cili është po ashtu ka të njëjtin motivim në ngjarje si Rozalia. Umberto, interpretuar nga Gjergji Mena, Mikele nga Neritan Liçaj dhe Rikardo, interpretuar nga Neritan Liçaj, janë tre djemtë, qëllimi i Filumena Marturanos. Tri karaktere të veçanta që shfaqen në pjesën e fundit të veprës, janë justifikimi për çdo veprim që një nënë mund të bëjë. Djana, e dashura e Domeniko Sorianos (Olta Gixhari), Lucia (Nigela Ruka) dhe avokat Nocela(Fadil Kujofsa) janë personazhet e tjera të veprës. Nën skenografinë e Agim Zajmit, një skenografi pak a shumë klasike me skenën e passkenën, Minga i dha jetë në shqip Filumenës së De Filippos, përkthyer që në ‘65 nga i njohuri Mustafa Greblleshi. I ka qëndruar pak a shumë besnik vënies së një shfaqje klasike, pa eksperimentuar në detaje që do të çudisnin. Publiku në sallë duket se e ka mirëpritur këtë vënie, e cila nuk dihet nëse do të ketë apo jo fatin e shfaqjes së mëparshme të tij "Pamje nga ura".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›