E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr banal, thyen kafkën 59-vjeçari

Sarandë

Një grindje për motive të dobëta për pak i ka marrë jetën një 59-vjeçari nga Saranda. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se Myftar Dervishi, 59-vjeç, lindur në Tepelenë e banues në Sarandë, është grindur me Pal Gostinin, 55 vjeç, lindur në Lezhë dhe banor në Lagjen Nr.1 të Sarandës. Në acarim e sipër, shtetasi Myftar Dervishi ka goditur mbi Pal Gostinin, i cili ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar duke u përplasur përtokë, gjë që i ka shkaktuar thyerje të kafkës. Ai është transportuar me urgjencë në spitalin “Petro Nako” të Sarandës. Mjekët kanë menduar se i lënduari ka pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar mjekësore dhe për këtë është bërë transportimi i tij për në Spitalin Ushtarak me helikopter, edhe pse në gjendje kome. Policia e Sarandës ka kapur në kohë rekord autorin Myftar Dervishi, duke e prangosur atë. Myftar Dervishi është arrestuar dhe dosja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë Sarandë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›