E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk arrihet marrëveshja e ofruar nga Trojka, Greqia një hap larg falimentit

Greqia po ecën me hapa të shpejtë drejt falimentimit. Asnjë marrëveshje nuk është arritur ditën e djeshme në takimin e krerëve të partive më të mëdha me kryeministrin  Papademos. Takimi, i cili zgjati mbi 5 orë, kishte si qëllim arritjen e një marrëveshjeje për planin e masave të reja shtrënguese.

Plani i propozuar nga trojka (Komisioni Europian, Banka Qendrore Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) parashikonte masa të reja shtrënguese në këmbim të zhbllokimit të ndihmave nga këto institucione ndërkombëtare.

Sakrificat e tjera, mes të cilave ulja e pagave, në një vend ku recesioni është i thellë e papunësia ka arritur në 19 për qind, do të ishte një hap i vështirë për vendin  që ndodhet në prag të dëshpërimit.

Kryeministri Papademos ka vlerësuar aspektin pozitiv të takimit, duke theksuar se ka një qëndrim të njëjtë në lidhje me pikat bazë. Ndërsa krerët e partive janë shprehur ndryshe, duke thënë para mediave se në takim nuk është arritur asgjë.

Agjencitë e shtypit në vend flasin për faliment. BE kishte kërkuar arritjen e një marrëveshjeje brenda të dielës në mbrëmje, si në tratativat me privatët, ashtu edhe me huadhënësit ndërkombëtarë. Por asnjëra nga këto nuk është realizuar.

Ndërkohë, mbetet një dritare shprese takimi i dytë që kryeministri Papademos do të zhvillojë me liderët e partive sot paradite.

Tashmë pritet reagimi i tregjeve, pasi mosarritja e marrëveshjes do të reflektohet në to.

Telefonatat

Pas takimeve me funksionarët e Trojkës dhe më pas me liderët e tre partive, Papandreu , Samaras e Karaxhaferis , kryeministri Papademos i ka kërkuar ndihmë përmes telefonit presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, dhe shefes së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde.

E djathta: Jo planit të ri të masave

Nuk do të lejojmë masa të reja shtrënguese, është shprehur konsevatori Antonis Samaras, ndërsa Karaxhaferis ka thënë se nuk dëshiron të kontribuojë në shpërthimin e një revolucioni, duke pranuar masat e propozuara nga trojka.

Plani është kundërshtuar edhe nga ish-kryeministri socialist Papandreu. BE, BQE dhe FMN kanë kërkuar uljen e pagave minimale, shkurtimin e pagës së 13-të dhe ndërhyrje në pensionet suplementare.

Efekti domino

Përsa kohë nuk ka një marrëveshje të firmosur në lidhje me shkurtimet dhe reforma, Trojka nuk do ti akordojë Greqisë ndihmat prej 130 miliardë eurosh. Pa këtë ndihmë, ekspertët thonë se Greqia do të falimentojë në mars. / Përgatiti: Gazmira Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›