E Diel, 1 Nëntor 2026

Sanino: Zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe dialogu për reformën zgjedhore, hapa pozitivë. Vazhdoni në këtë rrugë

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, Stefano Sanino, thekson se bashkëpunimi mes forcave politike është rruga që do ta çojë vendin drejt integrimit. Pas takimit me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Haxhinasto, Sanino u shpreh në një konferencë shtypi se viti 2012 është vit i rëndësishëm për integrimin e vendit në BE, ndaj forcat politike duhet të bashkëpunojnë për të çuar përpara reformat e nisura.

Forcat politike duhet të bashkëpunojnë pasi procesi i integrimit është gjtihëpërfshirës dhe vetëm kështu mund të çohet përpara axhenda e integrimit, tha Sanino.

Sanino vlerësoi si shembull të mirë të dialogut mes palëve zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe nisjen e punës për reformën zgjedhore. Vlerësoj dialogun. Ka ndodhur emërimi i Avokatit të Popullit, i pranuar nga të gjitha palët, ishte një proces transparent. Ka filluar dialogu për reformën zgjedhore dhe për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Duhet të vazhdohet në këtë rrugë, të ruani ritmin e reformave, është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në Europë, theksoi Sanino.

* * *

Sanino pritet të takohet edhe me kryeministrin Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministren e Integrimit, Majlinda Bregu,dhe anëtarët e komisionit parlamentar të integrimit.

Vizita e Saninos në vendin tonë pritet të nxisë palët politike për përmbushjen e 12 rekomandimeve të kërkuara nga BE-ja për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›