Ndërkombëtarët: Kujdes me draftin mbi SHISH. Keni parasysh aspiratën euroatlantike
Ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror shqetësojnë ndërkombëtarët. “Top Channel” ka mësuar se diplomacia e huaj në Tiranë është vënë në lëvizje për të ndikuar në ndryshimin, korrigjimin apo deri edhe në ndalimin e miratimit të amendamenteve të hartuara nga qeveria, duke nisur nga ai për mandatin pesëvjeçar deri te format e reja të varësisë që këto ndryshime sjellin. Duket se shqetësimi i të huajve nuk ka mbetur vetëm në nivelin e ekspertëve. Ambasadorët e Komisionit Europian e të Spanjës, Lohan dhe Montobio, si edhe ai amerikan Withers kanë zhvilluar javën e kaluar takime me kryeministrin Berisha, me të cilin janë diskutuar pikërisht kundërshtitë e tyre për këtë ligj. I pyetur nga “Top Channel” për të komentuar këto takime, një zëdhënës i ambasadës së SHBA deklaroi: Qeveria amerikane konsultohet rregullisht me qeverinë e Shqipërisë mbi një gamë të gjërv çështjesh. Ne nuk komentojmë hollësi të këtyre diskutimeve. Lidhur me projektligjin për shërbimin informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleat i NATO-s. çështja që shtrohet është se sa dhe si ato do të merren parasysh. Burime për “Top Channel” treguan se shqetësimet e diplomatëve dhe organizatave që asistojnë Shqipërinë në hartimin e ligjeve, pas ekspertizës që i kanë bërë amendamenteve, lidhen me faktin se Shërbimi Informativ Shtetëror rrezikon me këto ndryshime profesionalizmin dhe rënien në varësi politike. Në projektligjin e ri thuhet se, “drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e shërbimit, si edhe i raporton atij në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij”. Në ligjin ekzistues kjo pikë ka qenë e përcaktuar ndryshe. “Drejtori i SHISH-it informon dhe raporton te Presidenti i Republikës dhe te kryetari i Këshillit të Ministrave për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar”. Nisur nga ndryshimi i nenit 5, vihet re qartë se shërbimi sekret krijon një varësi direkte nga Kryeministri, ku kryetari i Shërbimit Informativ përgjigjet në çdo kohë dhe mënyrë vetëm përpara Kryeministrit, duke e sanksionuar kreun e qeverisë ligjërisht si eprorin e tij direkt. Por jo vetëm kaq. Në ndryshim nga ligji ekzistues, Shërbimi Informativ Shtetëror ndryshon në mënyrë thelbësore edhe objektin e punës së tij. Në objektin e ri të punës së shërbimit, krahas sigurisë kombëtare, shtohet një nen ku thuhet se: “Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si edhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike”. Një pikë kjo, që nëse keqinterpretohet në çdo rast mund të sjellë në mendje kohë të shkuara në Shqipëri. E që për ekspertët e huaj, juridikisht dhe politikisht, cilësohet si e dyshimtë. Sidomos në kontekstin e vënies në varësi politike të shërbimit sekret shqiptar.
#