E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët: “Koha për të miratuar tre ligjet është tani”

15-11-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i BE-së Sequi dhe ambasadori i SHBA-ve Arvizu, u bëjnë apel forcave politike për bashkëpunim

Pak orë nga shansi i fundit për të votuar në parlament 3 aktet e vëna kusht nga Komisioni Europian,  ndërkombëtarët bëjnë përpjekjen e fundit për të bindur klasën politike shqiptare të arrijnë konsensus.
Fillimisht ambasadori i BE-së Ettore Sequi e vetëm pak minuta më vonë edhe kryediplomati i SHBA-së Aleksandër Arvizu i kujtuan palëve se afati po skadon dhe është koha për dialog e marrëveshje, që do të thotë votim në seancën e sotme të ligjit për Gjykatën e Lartë, Statusin e nëpunësit civil dhe Reformën parlamentare. “Këshilli do të mblidhet në dhjetor, dhe nuk ka shumë kohë sigurisht. Integrimi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe prioritet duhen zbatuar, ndaj duhen miratuar ligjet me 3/5. Çdo kush duhet të progresojë në këtë drejtim. Ju e dini që unë e pëlqej muzikën. Është një opera që quhet Aida, në të cilën një ushtri niset për rrugëtim. Ushtria thotë, le të nisemi por nuk lëvizin bëjnë hapa marsh në vend. Unë shpresoj që ndryshe nga kjo opera ne do mund të lëvizim, pasi të gjithë duam të ecim përpara dhe të përparojmë në këtë rrugë” u shpreh ambasadori i BE-së.
Ndërkohë ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet parlamentare të vitit 2013-të, duke sjellë edhe njëherë në vëmendje mesazhin që përcolli në Tiranë, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
“SHBA-të besojnë se Shqipëria është vërtet në udhëkryq kritik. Sekretarja Clinton e ka bërë të qartë se zgjedhjet e 2013 do të jenë një test kritik për demokracinë, dhe ajo e të gjithë personat e qeverisë amerikane e nxisin Shqipërinë që të vazhdojë përpara me axhendën e reformave. Axhenda përfshin shumë elementë, por janë dy shumë të rëndësishëm, e para janë çështje të rëndësishme ligjore që dhe ju i përmendët, por elementi i dytë që është më i rëndësishëm është në fakt krijimi i një rekordi i luftës kundër korrupsionit dhe i nxitjes së një qeverisje më të mirë” theksoi Arvizu.
Duke mos pranuar të komentojë direkt ftesës së kreut të PS-së për një tryezë me partitë parlamentare për çështjen e Fierit, ambasadori Arvizu u shpreh se një nga mangësitë e politikanëve shqiptarë është mungesa e komunikimit. Komunikimi tha ai do të rezultonte me përmbushjen e një prej sfidave të Shqipërisë, zgjedhjet demokratike.
“Komunikimi duhet të përmirësohet. Çelësi për zgjedhje të mira do të ishte përmirësimi i dialogut mes të dyve. Jo nëpër mendje, jo para grupeve parlamentare, por përmes diskutimeve të qeta  ku secili të shprehë pikëpamjen e tij. E enjtja është mundësia e fundit  për miratimin në Kuvend të 3 ligjeve pasi  data 20 nëntor është afati  që Brukseli i ka vendosur politikës shqiptare për miratimin e  akteve”, tha Arvizu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›