E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: “Të konsolidojmë sistemin e drejtësisë, të mos tolerohen të korruptuarit”

15-11-2012 / Gazeta 55

Presidenti Nishani përshëndet ceremoninë e 15-vjetorit të themelimit të Shkollës së Magjistraturës


Kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani, ka kërkuar bashkëpunimin e gjithë aktorëve dhe faktorëve  të sistemit të drejtësisë për reformimin e këtij sistemi. Duke folur në ceremoninë e 15 vjetorit të Shkollës së Magjistraturës, presidenti Nishani  ndërsa e ka cilësuar si një sfidë reformën në drejtësi theksoi se duhet të bëhet gjithçka në funksion të një shërbimi shumë të rëndësishëm për vendin. “Shërbëtorët e sistemit të drejtësisë duhet të japin provat e vlerësimit të seriozitetit dhe të përgjegjshmërisë vetvetes në radhë të parë dhe të shoqërisë sonë dhe një element i rëndësishëm për këtë është sistemi i drejtësisë. Duhet të jemi ne shqiptarët që duhet të vijojmë angazhimit tonë serioz si individë për konsolidimin e vlerave reale në institucioneve të drejtësisë. Nëse duam vërtet të reformojmë sistemin e drejtësisë në radhë të parë duhet ta nisnim në raportin e forcimit të besimit të vetë pjesëtarëve të sistemit të drejtësi me vetë sistemin. Ka një lëkundje të vetë gjyqtarëve për karrierën e tyre dhe kjo është përgjegjësi e institucioneve por edhe të krerëve të sistemimit të drejtësisë, të gjyqtarëve të saj”, deklaroi Nishani. Më pas kreu i shtetit theksoi se procedurat e motivimit dhe karrierës së gjyqtarëve duhet të mbështeten vetëm në standarde dhe procedura të standardizuara, mbi meritën dhe të përcaktuara qartë e në mënyre transparente para publikut. “Drejtësia është shërbimi kryesor që i bëhet një shoqërie se mbi bazën e funksionimit të shtetit të së drejtës, ekziston garancia për funksionimin normal të çdo fushe tjetër. Kreu i shtetit nuk mund të aktivizohet e të realizojë objektivat i vetëm, por harmoni e bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit, me personalitetet që kanë eksperienca të vyera, por edhe adresim të çështjeve që shqetësojnë sot sistemin e drejtësisë. Përtej shqetësimit që është i rëndësishëm, që ka në tërësi shoqëria në raport me sistemin e drejtësisë, nëse duam t’i shërbejmë përmirësimit të këtij raporti, duhet ta nisim me forcimin e besimit të vetë pjesëtarëve të sistemit të drejtësisë me sistemin e tyre”, theksoi ai. Ndër të tjera kreu i shtetit deklaroi se do të ketë tolerancë zero për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Ndërsa shtoi se promovimi në karrierë do të bëhet vetëm mbi bazë merite. “Asnjëherë nuk mund të lëshojmë qoftë dhe një centimetër nga angazhimi ynë në drejtim të shembujve negativë”. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nënvizoi se gjatë gjithë mandatit të tij në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ka kërkuar dhe do të vazhdojë të këmbëngulë, që, procedurat e motivimit, të mbështetjes dhe realizimit të karrierës së gjyqtarëve tanë të mbështeten vetëm dhe vetëm mbi procese të standardizuara, mbi procedura qartësisht të përcaktuara, të cilat gjenerohen dhe vijnë në konkluzion vetëm mbi bazën e kritereve të qarta, të propozuara nga vetë anëtarët e sistemit gjyqësor, por edhe të përcaktuara qartë, në mënyrë transparente përpara gjithë komunitetit të gjyqtarëve, por edhe të opinionit publik, që ndonjëherë na duket se nuk janë profesionistë, por janë absolutisht gjykatësit më të mirë të zhvillimeve shoqërore në çdo shoqëri. Gjithashtu presidenti Nishani  u shpreh se pavarësisht këshillave dhe asistencës së ndërkombëtarëve, reforma në drejtësi duhet mbyllur nga politika dhe institucionet shqiptare.  “Vëmendja e miqve të Shqipërisë e fokusuar në sistemin e drejtësisë përbën për ne një rrugë orientimi dhe vlerësimi se sa i rëndësishëm është ky sistem dhe kjo fushë dhe për promovimin e vlerave shtetare të Republikës së Shqipërisë dhe të institucioneve kushtetuese. Po përtej kësaj jemi ne dhe duhet të jemi  ne shqiptarët të cilët duhet ta vendosim në prioritetin e prioriteteve”, tha Nishani. Në përfundim  presidenti Nishani  theksoi se, “Ne jemi të pandryshuar në objektivat tonë për të ecur në rrugën e integrimit evropian. Shqipëria dhe shqiptarët e shohin procesin e integrimit evropian si një proces, i cili do të kalojë përmes fazash dhe hapash, të cilët duhet të ngrihen në radhë të parë nga angazhimi dhe kontributi i shqiptarëve, i institucioneve, i shoqërisë, por edhe i mbështetjes dhe inkurajimit të partnerëve tanë, si një proces, i cili ka mjaft sfida përpara. Por, shqiptarët kanë treguar që janë të gatshëm të japin çdolloj kontributi. Shqiptarët, jam i bindur që dëshirojnë t’i bashkohen familje evropiane dhe të jenë pjesëtarë të familjes evropiane si kontributorë dhe jo vetëm si konsumatorë të saj. E them si kontributorë, sepse historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve ka treguar që, shqiptarët kanë qenë më së pari kontributorë”. Në fjalën e tij, ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka theksuar se drejtësia është një shtysë e madhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë  edhe ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, ambasadori Ettore Sequi,  ambasadori i OSBE-së Eugen Ëollfarth, ambasadorja franceze, ministri i drejtësisë Eduard Halimi etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›