A po largohet Amerika nga Evropa Lindore?Nga “Associated Press”Çekët e ndiejnë veten të tradhtuar, polakët të hidhëruar, rumunët të injoruar. Pyetni ata se kush është fajtor për këtë dhe përgjigjja mund të duket befasuese: Presidenti Barack Obama. G
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
A po largohet Amerika nga Evropa Lindore?Nga “Associated Press”Çekët e ndiejnë veten të tradhtuar, polakët të hidhëruar, rumunët të injoruar. Pyetni ata se kush është fajtor për këtë dhe përgjigjja mund të duket befasuese: Presidenti Barack Obama.
George Bush arriti ta joshë Evropën Lindore dhe udhëheqësit e rajonit iu bashkuan me shpejtësi “koalicionit të të vullnetshmëve”, të krijuar nga ai pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Tani, shumë njerëz - si zyrtarë, ashtu edhe qytetarë të thjeshtë - ankohen për atë që e perceptojnë si neglizhencë nga ana e administratës së Obamës.
Kjo është një zhvendosje e jashtëzakonshme në këtë rajon, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i mësuar me marrëdhëniet komode me SHBA. “Tani vërejmë fillimin e një indiference”, - thotë historiani dhe hulumtuesi rumun Tudor Salajean.
Madje, herëpashere dhe në disa pjesë, disponimi i ri është i afërt me armiqësi. Dy prej tre bullgarëve, çekëve, polakëve dhe rumunëve e mbështesin politikën e jashtme të Obamës, dëshmoi anketimi i realizuar nga Fondi Gjerman i Marshallit. Kjo përkrahje mund të cilësohet si mjaft e fuqishme, por ajo duket e mjerë, nëse krahasohet me përkrahjen e Obamës në Evropën Perëndimore, ku nëntë nga dhjetë të anketuar mbështetin Obamën.
Është normale që marrëdhëniet të ndryshojnë me kalimin e kohës dhe aktualisht ekzistojnë shumë pak arsye urgjente, të cilat do ta shndërronin Evropën Lindore në prioritet të SHBA, thotë Janusz Bugajski, drejtor i projektit për demokracitë e reja evropiane në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington.
“Me gjasë, këto shtete janë viktima të suksesit të tyre. Ato janë mjaft të qëndrueshme, nuk kanë trazira të mëdha sociale apo jo-stabilitet politik, nuk kanë kërcënime ndaj sigurisë. Sa më i suksesshëm që je, aq më poshtë do të rrëshqasësh në axhendën e politikës së jashtme të SHBA. Ata e kuptojnë se është kjo fytyra e re e Amerikës, se nuk është epërsi të jesh antiamerikan”, - theksoi Bugajski.
Marrë në përgjithësi, Obama ende adhurohet nga shumë qytetarë të Evropës Lindore. Në prill, gjatë fjalimit të tij në Pragë, Obama kujtoi dekadat e tëra të miqësisë transatlantike, të cilat ndihmuan në çlirimin e shteteve që kishin mbetur prapa Perdes së Hekurt.
Tash, pas tetë viteve në qendër të vëmendjes së Bushit, ata thjesht nuk e ndiejnë dashurinë e Obamës. Arsyet për këtë janë të ndryshme. Udhëheqësit çekë dhe polakë janë të hidhëruar, për shkak të qëndrimit të paqartë të Uashingtonit në lidhje me planin e Bushit për të vendosur elemente të mburojës antiraketore në territoret e këtyre dy shteteve ish-komuniste.
Por, së fundi, zyrtarë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes kanë theksuar se janë duke shqyrtuar edhe opsione të tjera. Plani i Bushit kishte tërbuar Rusinë, ndërsa administrata e Obamës është angazhuar në përmirësimin e marrëdhënieve me Kremlinin.
Por gjërat janë më të ndërlikuara: me gjithë faktin se qeveria e Çekisë dhe ajo e Polonisë janë pajtuar që mburoja të stacionohet në territoret e tyre, ky projekt nuk është aspak i popullarizuar në radhët e qytetarëve të thjeshtë, të cilët kanë organizuar edhe protesta. Aktualisht, disa udhëheqës kanë ndjenjën se i janë ekspozuar pa nevojë problemeve.
“Do të konsideroja një gjë të ndyrë, nëse Çekia dhe Polonia në fund mbesin të pambrojtura”, - theksoi Alexandr Vondra, ish-zëvendëskryeministër i Çekisë dhe ish-ambasador i këtij vendi në SHBA.
Vondra ishte mes ish-udhëheqësve nga Evropa Lindore, të cilët në korrik i dërguan një letër Obamës, ku theksuan se rajoni është i shqetësuar se mund të injorohet si rezultatet i hapjes së Uashingtonit ndaj Rusisë.
“Nëse nuk kujdesemi për marrëdhëniet mes SHBA dhe Evropës Lindore e Qendrore, kjo në të ardhmen mund të rezultojë me përkeqësim të marrëdhënieve”, - tha Vondra.
Polakët kanë arsye të tjera për të qenë të pakënaqur. Më 1 shtator, në përkujtimin e 70-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, mori pjesë në ceremonitë që u organizuan në Poloni. SHBA dërgoi këshilltarin për Siguri Kombëtare, James Jones, hap ky i cili nga polakët u cilësua si injorim, pasi ata kishin pritur që në këtë ceremoni të merrte pjesë zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden apo sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
“Ata nuk na duan. Nuk brengosen për ne. Ne po paguajmë për dashurinë tonë të verbër ndaj SHBA”, - shkroi komentatori polak Lukasz Kwiecien.