E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët apelojnë, SHBA, BE, OSBE: KQZ po zbaton ligjin, të hiqet dorë nga aktet e dhunës dhe retorika e kërcënimit

20-05-2011 / Gazeta 55

UPDATE- Philip Gordon: Dhuna dhe retorika e kërcënimit nuk gjejnë miratim në një vend demokratik si Shqipëria


-- OSBE: Puna e KQZ-së, vetëm e bazuar në ligj


-- Berisha, Stronestreet: Këto zgjedhje arritwn standardet, treguan se ishin më ndryshe nga të kaluarat- institucionet iu përmbajtën ligjit


-- Protestat absurde të PS, SHBA paralajmëron qytetarët e saj: Shmangni lëvizjet


-- Topalli, Stonestreet: Zgjedhjet e 8 majit, ishin më transparentet


Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri të respektojnë procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Filip Gordon theksoi se SHBA-ja e ka ndjekur nga afër situatën në Shqipëri që nga zgjedhjet e 8 majit ndërsa nënvizon se dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë ose nënkupton akte dhune nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë. Ndihmës Sekretari Gordon thekson rëndësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë funksionin e tij në mënyrë konsistente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, për të krijuar besim tek populli dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni. “Politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në shkëmbime konstruktive, në vepra që i shërbejnë një vendi me një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe jo tek retorika apo veprimet negative, që vetëm e denigrojnë këtë process”, thekson më tej Ndihmës Sekretari i Shtetit. Gordon shprehet se populli shqiptar meriton një demokraci të qëndrueshme dhe të begatë, bazuar në vlerat universale dhe shtetin ligjor”.


OSBE: Puna e KQZ-së, vetëm e bazuar në ligj


Ambasadori i OSBE-së Eugen Ëollfarth ka deklaruar se askush nuk duhet të dalë mbi ligjin, të gjithë janë të barabartë para tij ndërsa ka kërkuar nga të gjitha institucionet duhet të punojnë në mënyrë të pavarur. Në një prononcim për mediat pas takimit me kryeprokuroren Ina Rama, ambasadori Ëollfarth ka deklaruar se puna e KQZ-së duhet të bazohet në ligj ndërsa ka shtuar se nga janari 2011 në vend kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme të cilat sipas tij kanë nevojë për analiza ligjore. “E rëndësishme është që të respektohet Kushtetuta, ligji. Po ashtu e rëndësishme është që të ketë transparencë nga media, sidomos në lidhje me procesin post-zgjedhor e atë që po ndodh në KQZ. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve puna duhet të jetë e pavarur dhe e mbështetur në ligj”- tha Ëollfarth.


Berisha, Stronestreet: Këto zgjedhje arritën standardet, treguan se ishin më ndryshe nga të kaluarat- institucionet iu përmbajtën ligjit


Kryeministri Berisha priti sot në një takim  Kreun e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR zotin Jonathan Stonestreet dhe delegacionin që e shoqëronte.   Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen zotit Stonestreet, Kryeministri Berisha e falënderoi atë për kontributin që ai dhe delegacioni i OSBE/ODIHR-it dhanë në vëzhgimin  me profesionalizëm të lartë të zgjedhjeve vendore të 8 majit në Shqipëri. Zoti Stonestreet e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ai dhe Misioni i tij patën me qeverinë shqiptare dhe gjithë institucionet e saj, si dhe për transparencën e plotë që Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij i ofruan, duke u krijuar të gjitha kushtet për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me sukses të plotë misionin e tyre. Në takim u vlerësua ecuria e qetë dhe pa asnjë incident e procesit zgjedhor gjatë ditës së zgjedhjeve, saktesia dhe transparenca e procesit te numerimit, gjatë të cilit vëzhguesit shqiptar dhe ata ndërkombëtar patën akses të plotë për të vëzhguar numërimin e votave të qytetarëve shqiptarë si dhe u vlerësuan një sërë aspektesh pozitive të cilësuara si arritje në këto zgjedhje, në dallim me zgjedhjet e mëparshme dhe që janë përfshirë edhe në Raportin e Ndërmjetëm të ODIHR. Kreu i Misionit të Vëzhguesëve të ODIHR Stonestreet theksoi se në aspektin e përdorimit të burimeve të adminstratës publike u pa një përmirësim i qartë në krahasim me zgjedhjet e shkuara. Kreu i Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR zoti Jonathan Stonestreet vlerësoi dhe sjelljen tërësisht profesionale dhe të paanshme të Policisë së Shtetit gjatë gjithë procesit. Në takim të dy palët theksuan gjithashtu rëndësinë e fillimit sa më shpejtë të reformës zgjedhore si dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të mëparshme si dhe atyre që do të dalin nga raporti i ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, për konsolidimin e një procesi zgjedhor sa më efikas dhe garantues për zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve evropiane.   Zoti Stonestreet theksoi se Misioni i OSBE/ODIHR do të  ndjekë të gjitha fazat e procesit zgjedhor deri në përmbylljen e plotë të tij.


Kreu i vëzhguesve, Stonestreet: KQZ ka në themel të punës respektimin e ligjit


Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Xhonatan Stonestreet ka deklaruar se shprehja e maturisë, e ruajtjes së qetësisë dhe zbatimit me rigorozitet i ligjeve në fuqi e Kodit Zgjedhor në veçanti, mbetet me rëndësi për të sotmen dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë ndërsa ka shtuar se institucioni i administrimit të zgjedhjeve duhet të ketë në themel të punës së tij vetëm respektimin e ligjit. Në një takim me presidentin e Republikës, Stonestreet ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejshëm në funksion të arritjes së standardeve demokratike perëndimore nga ana e Shqipërisë përsa u përket zgjedhjeve të lira, të drejta e të ndershme.


Protestat absurde të PS, SHBA paralajmëron qytetarët e saj: Shmangni lëvizjet


Ambasada e SHBA-së në Tiranë i bën thirrje qytetarëve të saj që të shmangin prezencën e tyre në protestat që po zhvillohen në disa qytete të Shqipërisë. Ambasada i bën thirrje qytetarëve të saj që jetojnë në Shqipëri, që të kenë kujdes të shmangin këto protesta pasi ato mund të jenë të dhunshme. “Të mëdha, demonstratat paqësore në Tiranë kanë ndodhur shpesh në vitet e fundit, edhe pse një demonstrim më 21 janar 2011, ishte i dhunshëm dhe rezultoi në vdekjen e katër njerëzve dhe lëndime të shumë të tjerëve, duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit Shqiptar. Në javët e fundit, policisë dhe degët e lajmeve kanë raportuar për një numër të vogël, të incidenteve sporadike të dhunës. Ne i përkujtojmë qytetarët e SHBA-së se edhe demonstratat paqësore si qëllim mund të kthehet në dhunë dhe të paparashikueshme. Ju duhet të shmangni ato nëse është e mundshme” - thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane. Më tej, theksohet se “demonstrata në qytet kanë potencial që të çojë në mitingje të tjera publike apo demonstratave në vende të tjera rreth e vende”. “Të jeni vigjilent dhe të vetëdijshëm për vendbanimin tuaj dhe t’i kushtoni vëmendje medias lokale, të raporteve të lajmeve në lidhje me të gjitha tubimet e mundshme publike apo demonstratave. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve të SHBA-së për të ushtruar kujdes të fortë, nëse në afërsi të një demonstrata apo protesta publike. Informacion në lidhje me demonstrata rutinë do të vazhdojnë të jenë të postuara në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, nën titullin “Demonstrata njoftime”, - theksohet më tej në deklaratë. Ambasada i bën një përshkrim situatës së protestave në Shqipëri që i përkasin datës 19 maj, duke theksuar se “raportet e mediave tregojnë se ka shumë protesta dhe bllokime rrugësh që po verifikohen aktualisht në të gjithë Shqipërinë”. “Ky pason shpalljen e PS-së më 18 maj të synimit të saj për të mbajtur demonstrata publike në Tiranë dhe në disa qytete në të gjithë Shqipërinë. Sipas shtypit, llogaritet të jenë ngritur postblloqe në autostradën Kavajë-Golem, ura e Milotit, ura Mifolit (Vlorë), te mbikalimi Shkozet-Durrës, Elbasan-Gramsh në rrugët nacionale. Njoftime bëjnë të ditur se ekzistojnë marshime në rrugët kryesore të qytetit të Fierit në drejtim të rrugëve nacionale. Në shumë vende, sipas mediave, gomat e makinave janë përdorur si postblloqe duke iu vënë zjarrin” - thekson njoftimi i ambasadës së SHBA-së. Paralajmërimet e lëshuar nga ambasada e SHBA-së ndaj shtetasve amerikanë kanë nisur që më datën 14 maj.


Topalli, Stonestreet: Zgjedhjet e 8 majit, ishin më transparentet


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në takim Kryetarin e  misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Jonathan Stonestreet. Kryetarja e Kuvendit falenderoi zotin Stonestreet për punën e jashtëzakonshme të bërë nga misioni i vëzhguesve në çdo etapë të zgjedhjeve. Në takim biseda u fokusua në ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri. Duke vlerësuar  këtë proces zgjedhor, Zoti Stonestreet tha se “gjatë ndjekjes nga afër të numërimit të votave nuk kisha përjetuar asnjëherë diçka të tillë, në sensin pozitiv. Numërimi i votave në sy të të gjithë shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm.” Duke ndarë të njëjtin mendim me zotin Stonestreet, Kryetarja e Kuvendit tha se këto zgjedhje ishin zgjedhje të transparencës  më të lartë. Shqiptarët votuan të lirë e me qytetari.  Kjo qytetari dhe vullneti i tyre i shprehur me votë është thelbësor për këtë proces. Në çdo votë është vullneti i qytetarëve shqiptarë. Është themelore që çdo votë të numërohet. Kryetarja e Kuvendit tha se është e rëndësishme që KQZ-ja, duhet lënë të punojë. Dhuna kundër institucioneve të pavarura është e papranueshme në një shtet ligjor dhe e dënueshme penalisht. Kryetarja e Kuvendit, tha se pas përmbylljes së këtij procesi, mazhoranca mbetet si gjithmonë, e gatshme të përmirësojë kodin zgjedhor sipas rekomandimeve që do të bëhen edhe në raportin final të OSBE/ODIHR për këto zgjedhje. Shpresoj, tha ajo,  që edhe opozita të këtë vullnetin për të punuar së bashku me mazhorancën për këto ndryshime e t’i votojmë ato në parlament.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›