E Diel, 1 Nëntor 2026

Vota e Topit tregoi se ai ishte garanti i grushtit të shtetit

20-05-2011 / Nga Fahri Balliu

Presidenti tregoi se gjatë gjithë kohës nuk ka qenë “Top”, por një numëror topi i Edi Ramës

Tashmë në dritën e diellit për të gjithë shqiptarët është lexuar në mënyrën më transparente që vota e presidentit Topi në kutinë 1968 të njësisë 9, ishte për Edi Ramën. Kjo nuk është e vetmja tradhti në këto zgjedhje, por është më e larta, më e egra, më e turpshmja. Por, ka një të mirë të madhe, që atë sekretencën e qëndrimeve të Bamir Topit, të fshehur pas institucioneve të varësisë, PS-së dhe ndonjë bande vagabondësh në vende të tjera e zbërtheu përfundimisht. Ky njeri, natën dhe ditën, në orët e punës së tij si president i republikës, ka punuar, menduar, luftuar, investuar për sjelljen në pushtet në mënyrë të paligjshme të Edi Ramës. Vota që ai ka hedhur për Ramën është brenda ligjit, por është brenda turpit më të madh të një njeriu që u lëpi për vite të tëra në Partinë Demokratike, gënjeu dhe mashtroi shokët, miqtë dhe votoi për njeriun që i vë flakën Shqipërisë. Me këtë rast, ai e amniston Edi Ramën, i cili është një rast klinik, personalisht dhe politikisht. Edi Rama vjen nga palca e krimit komunist. Mbi të u investua një teatër i madh, për ta paraqitur modelisto-anarkist, demek të larë e të lyer nga Perëndimi, po kurrë ndonjëherë PS-ja nuk pati dhe nuk ka lojtarë më të zi e të dalë nga themeli i stalinizmit.
Por pavarësisht nga të gjitha këto, ai është kryetar i opozitës dhe me atë parti që pranon për kryetar çdo njeri që sjell kartën e rrënimit të Shqipërisë, ai mund të sillet dhe mund të veprojë si ta gjykojë ai. Por ti o zoti president, që mendove për të futur nëpër burgje për agjitacion e propagandë në pluralizëm, njerëzit më të devotshëm të luftës për demokraci, njerëzit më të sinqertë dhe pa kurrfarë përfitimesh, ty more ditëzi ku të çon mushka? Ti kujton se do të strehohesh në vilën për të cilën s’ke paguar as një gjethe ulliri. Ti kujton se do t’i fshihesh syrit të së drejtës dhe të së vërtetës. Ti kujton se mund ta kalosh e anashkalosh e të tallesh me atë luftë opozitare të tmerrshme që ka bërë Partia Demokratike në ’97-n, për 8 vjet... Ti kujton se mund ta shkelësh gjakun e Azemit dhe të dëshmorëve të tjerë të demokracisë, ti kujton se do t’i zëvendësosh ata me viktimat e qarqeve më të zeza antishqiptare, që stimulojnë rrënimin e shtetit shqiptar…
Por ja ku ta dha e drejta e atyre që tradhtove, ja ku ta bëri gjyqin transparenca e ligjit dhe sigurisht është edhe dora e Zotit, për të ta shkruar në mënyrë të pashlyeshme veprën tënde të pështirë dhe të turpshme…  
Ti që gjysmën e jetës e ke nëpër dreka e darka, e ke parë se si të janë larguar miqtë e ditëve të para dhe të është dashur të shpikësh miq të rinj, por me një standard për të qarë hallin, vetëm nga ata që e pranojnë tradhtinë tënde. Ty t’u demaskua përfundimisht gjuha e Ezopit dhe të ka dalë në fytyrë, ty dhe klanzhganit tënd!
Askujt në Shqipëri nuk i ka ndodhur kjo që të ndodhi ty. Ndëshkim i përnjëhershëm, brenda kohës së mandatit. Tani ti je simboli dhe shembulli më klasik i mosmirënjohjes, i grushtit të shtetit, i hipokrizisë dhe i pabesisë ndaj atyre që të rritën e të mandatuan në atë post. Kështu që nuk mund ta ngopësh dot urinë tënde tradhtare me përgjimet e telefonave, me videot dhe me turpe të tjera të Sigurimit të Shtetit. Sepse praktikë e tyre ishte dhe është spiunimi dhe tradhtia.
Por në ditët që do të vijnë, orët e jetës tënde do të jenë më të gjata, më të dhimbshme, më të lodhshme, më të turpshme… Ti i vure një damkë jo vetëm karrierës dhe jetës tënde, por gjithkujt që është i lidhur me ty. Shqipja është me shumë pasuri leksikore dhe me thënë të drejtën, për shkak të zanatit nuk na mungojnë që të të etiketojmë, por jemi në çastet e para të zbulimit të krimit dhe gjëja e parë që provojmë është të pasurit ndot. 
Edhe këta të huajt nuk do të mund t’i gënjesh më, t’i mashtrosh, t’i thërrasësh, të bisedosh me ta dhe t’i raportosh Edi Ramës. Në fakt analiza të shtyn shumë thellë. Pyetjes pse ti more rrugën e tradhtisë dhe të turpit, nuk mund t’i përgjigjesh thjesht “çështje karakteri”. Kjo është një histori e gjatë, e vjetër, e thellë dhe do të botohet zotëri, herët a vonë...si krimet e Hoxhës, që po dalin ditë pas dite. Mos kujto se duke dalë në televizor, me atë staf eunukësh që ke do t’ia hedhësh më ndokujt. Ka shumë socialistë që s’e votuan Edi Ramën. Lulzim Basha ka marrë mbi 50 mijë vota më shumë krahasuar me paraardhësin, por ti zgjodhe Edi Ramën. Me tërë hukubetet e tij.
Eh, nuk mbaron mllefi kundër këtij turpi. Tashmë s’mund të gënjesh më njeri se ti na qenkësh me të djathtën, gjasme qytetare. Ti or zotëri paske qenë, je dhe do të jesh veç me palcën dhe zezonën që quhet Edi Rama…bile ti je vartës i tij. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›