Policia: Eshtrat e 19 personave, të vrarë gjatë komunizmit
TIRANË - Eshtrat e gjetura në malin e Dajtit figurojnë të jenë të 19 personave të pushkatuar gjatë viteve të regjimit komunist. Ky sqarim është dhënë nga burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Tiranës. Sipas zëdhënëses Alma Katragjini, skeletet janë gjetur nga banorët në fshatin Qerret në malin e Dajtit. Katragjini tha se “po vazhdon puna për të bërë të gjitha ekzaminimet ligjore të eshtrave të gjetura dhe për të identifikuar personat e vrarë”. Sipas saj, skeletet e 19 personave u përkasin trupave të ekzekutuar në periudhat e regjimit komunist dhe po punohet për identifikimin e tyre. Lajmi i zbulimit të një varrit masiv në Linzë të Tiranës ka risjellë dhe njëherë në kujtesën e shqiptarëve krimet e komunizmit dhe detyrimin e shtetit për t’i kthyer të zhdukurit pranë familjeve të tyre. Gjatë ditës së djeshme, përveç eshtrave të gjetura nga familjarët, policia gjeti edhe një kafkë njeriu, e cila u dërgua për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Policia thotë se “janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit, pjesëtarë të familjeve të viktimave të ish-regjimit komunist, që kanë bërë kërkime për gjetjen e të afërmve të tyre të pushkatuar”.
“Në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, vazhdon puna për këqyrjen e të gjithave eshtrave dhe mbetjeve kockore, të cilat ndodhen në Morgun e Tiranës”, - shprehet zëdhënësja Katragjini. Që prej ditës së djeshme ka nisur puna për të kryer të gjitha ekzaminimet kriminalistike, mjeko-ligjore dhe antropologjike për identifikimin e viktimave.
Berisha sulmon Gjykatën Kushtetuese me eshtrat e Dajtit
TIRANË - Kryeministri Berisha ka shfrytëzuar ngjarjen e gjetjes së 19 eshtrave në lindje të kryeqytetit shqiptar për të sulmuar edhe njëherë Gjykatën Kushtetuese në lidhje me rrëzimin e të ashtuquajturit Ligji i Lustracionit. Kreu i qeverisë tha dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar se shoqëria nuk mund të flejë mbi eshtrat e krimeve të komunizmit dhe atyre që i dhanë këto vendime. Berisha la të hapur mundësinë që eshtrat e gjetura një ditë më parë t’i përkasin gushtit të vitit ‘90, kur u përfol se u ekzekutuan pa gjyq në Malin me Gropa qytetarë që tentonin të kalonin rrethimin e ambasadave. “Nuk dihet koha, janë të grupit të deputetëve, janë të ekzekutuar pa gjyq, janë të vitit ‘90 dhe ngjarjeve të ambasadave, - këtë do ta thonë analizat”, - tha kreu i maxhorancës. Ai shtoi se “në takimin me intelektualë që diktatori Ramiz Alia zhvilloi, e pyesin: ‘Shoku Ramiz, në Tiranë flitet për 50 të pushkatuar në Malin me Gropa”. Dhe përgjigjja ishte se mali ka gropa, por nuk ka kufoma”, - u shpreh kreu i qeverisë. Berisha lajmëroi se ligji për ngritjen e Institutit të Kujtesës Kombëtare pret miratimin e Kuvendit. “Ky është një institut i ngjashëm me institutin çek, i cili synon të zbardhë të gjithë të vërtetën e barbarive të regjimit komunist. Instituti ka gjithashtu të drejtën e dërgimit në prokurori të materialeve, të cilat faktojnë krime të rënda”, - tha zoti Berisha. Sipas tij, Ligji i Lustracionit, në konflikt të plotë interesi, u hodh poshtë. Akuzat e zotit Berisha ndaj disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vijnë në momentin kur disa prej gjyqtarëve do të largohen për shkak të mbarimit të mandatit dhe Presidenti i Republikës ka njoftuar nisjen e aplikimeve për të zëvendësuar vendet e mbetura bosh.
9 Shkurt 2010