ISSH: Si përfitohet pensioni i pjesshëm i pleqërisë
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar dje procedurat dhe përgatitjen e dosjes për të marrë pension të pjesshëm pleqërie. Në manualin e tij jepen detaje të bazës ligjore, kushtet e përfitimit, dokumentacionin dhe shumën e përllogaritur të pensionit nga përfituesit, duke e ilustruar me shembuj konkretë. Gazeta “Albania” sjell të plotë manualin për përfitimin e pensionit të pjesshëm të pleqërisë, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që mund të përfitojnë prej kësaj skeme, në përgatitjen e dosjes së plotë që duhet të paraqesin në zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Pensioni i pjesshëm i pleqërisë
1. Baza ligjore:
1. Ligji Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
2. Udhëzimi Nr. 2 i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni”;
3. Rregullore Nr. 1 e ISSH-së, datë 19.10.2009 “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”.
2. Kushtet e përfitimit:
Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur:
1. Plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë;
2. Të kenë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 35 vjet periudha sigurimi;
3. Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike;
4. Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension zbatohet neni 92, i Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar.
3. Dokumentacioni:
Për të përfituar pension të pjesshëm të pleqërisë, përfituesi, ose i autorizuari me prokurë, paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendjen civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë.
Përfituesi për pension të pjesshëm të pleqërisë, ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentet si më poshtë:
1. Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
* fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi;
* certifikatë e gjendjes familjare;
* certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);
* dy copë fotografi.
2. Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
* libreza e punës;
* vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
* vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM;
* vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);
* vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;
* vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
* vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
* fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
3. Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” duhen edhe:
* vërtetim i gjendjes gjyqësore;
* vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
* vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;
* çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.
4. Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
* vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
* çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.
4. Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë:
Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë caktohet si pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe llogaritet duke shumëzuar shumën e pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur me kohën e periudhës së sigurimit, duke e vënë në raport me periudhën e sigurimit për 35 vjet.
Shembull: Në qoftë se përfituesi ka një periudhë sigurimi prej 18 vjetësh dhe masa e pensionit të plotë të pleqërisë është caktuar 12 000 lekë, masa e pensionit të përfituar do të jetë 12 000 *18 (muaj) / 35.
17 Gusht 2010